3 tetor 2015 – Kryetarët e bashkive nuk do të mund të zgjidhen për më shumë se dy mandate radhazi. Projektligji i ri “Për organizimin dhe funksionimin e pushteteve vendore” kufizon këtë mundësi, duke bërë që pas dy mandatesh, kryetari i bashkisë nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë, pa bërë të paktën një mandat “pushim”. Më pas mund të rizgjidhet përsëri, duke respektuar gjithmonë detyrimin për ndërprerje midis 8 vjetësh.

“Projektligji sanksionon për herë të parë “kufizimin e mandatit” për kryetarët e bashkive në vetëm dy mandate radhazi. Ezaurimi i dy mandateve radhazi nuk do mund të lejojë rikandidimin për mandatin e tretë radhazi, por lejohet rikandidimi vetëm pas kalimit të një mandati në “stol”.

Ky mekanizëm në kushtet e një demokracie akoma jo funksionale në Shqipëri, garanton konkurrencë dhe hapje të garës për kandidatura të reja dhe alternative dhe përmirësim të qeverisjes demokratike në nivel lokal”, thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin, shkruan “Shqiptarja.com”.

/portali DurresLajm/