2 tetor 2015 – Dritan Prifti ka deklaruar para gazetarëve se sot do të publikojë një video të re ku shfaqet drejtori ekzekutiv i DIA-s duke sqaruar se deputeti i LSi-së Agron çela, ka marrë para nga DIA.
Deklarata e Priftit erdhi menjëherë pas dëshmisë së gjatë dhënë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, lidhur me akuzat e bëra nga kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho në një letër ku paralajmërohet ekzistenca e një skenari për destabilizimin e vendit.
Në përgjigje të këtyre akuzave, ish-ministri i Energjetikës sqaroi se nuk e ka takuar asnjëherë gruan e Kastriot Ismailajs dhe se nuk po përpiqet të destabilizojë vendin, pasi sipas tij vendi nuk ka stabilitet politik. Prifti u shpreh i gatshëm të ndihmojë qeverinë në Arbitrazh dhe gjithashtu shtoi se nga kontrata CEZ-DIA kanë përfituar njerëz të afërt me Ilir Metën.
“Jam i gatshëm të ndihmoj qeverinë në Arbitrazh. Nuk e kam firmosur unë marrëveshjen CEZ-DIA.
Nga kontrata kanë përfituar politikisht njerëz të afërt të zotit Meta. Paratë e DIA-s kanë shkuar te miqtë e njohur të Metës. Ka media që nuk kanë pranuar të publikojnë filmimet që unë i kam me vete në USB. Unë nuk flas kot dhe nuk bëj deklarata pa pasur prova. Unë jam person privat, nuk kam lidhje me asnjë parti politike.
Kjo qeveri është e destabilizuar, nuk e kam destabilizuar unë, siç thotë Braho. Njerëzit në këtë vend nuk kanë bukë dhe dhunohen me taksa e gjoba.
Deri sa të kem jetë, unë do të denoncoj gjithçka që ka lidhje me vjedhjet e qeveritarëve në këtë vend. Edhe të ma presin mishin me copa unë do t’i denoncoj ato që di”.
Më tej, Prifti bëri dhe një koment për LSI-në duke thënë se është bërë si ajo gruaja që është martuar për herë të dytë, por që sa herë i shkon mendja për burrin e parë, shkon edhe me të.
/S.L. portali DurresLajm/