1 tetor 2015 – Për rreth 20 minuta, kreu i Kuvendit Ilir Meta ka folur në foltoren e Kuvendit ku ka sqaruar për herë të parë pozicionin e tij në lidhje me aferën korruptive CEZ, pas akuzave që i janë drejtuar këto ditë nga deputetët e opozitës.

Kryeparlamentari e ka konsideruar të gjithë këtë si një operacion mafioz politik, mediatik dhe financiar, dhe mbi të gjitha e pambështetur në asnjë provë.

"Ka rreth një muaj që po bëhemi dëshmitarë të një operacioni mafioz, politik, mediatik dhe financiar për të përfshirë me domosdo, përmes një propagande mashtruese, e cila nuk mbështetet në asnjë fakt e në asnjë provë, përmes financimit mafioz të emisioneve e gazetarëve që fabrikojnë të pavërteta, dhe të kolegëve të caktuar deputetë, që bëhen zëdhënës të tyre këtu apo në media.

Gjithçka është fare e qartë. Çdo gjë ka qenë e studiuar mirë. Por i gjithë operacioni është i mjerë pasi bazohet mbi falsifikime. Agjencia BIRN ka përmendur emrin tim pasi i referohet raportit të studios, e cila nuk është angazhuar nga qeveria aktuale, por nga qeveria e mëparshme dhe është firmosur nga ish-drejtori i OSHE-së, zoti Sait Dollapi.

'Clifford' është një kompani që i ka bërë dhe shërbime të tjera qeverisë së para 23 qershorit 2013. Pas përmendjes së emrit tim në mënyrë të manipuluar nga gazetarja e papërgjegjshme e BIRN, që natyrisht ka bërë dhe ajo shërbimet e saj dhe do të ketë përmirësuar standardin e jetesës së saj, kompania 'Clifford' bëri në mënyrë të qartë një sqarim që është bërë zyrtar, por që të gjithë ata që janë vënë në mbështetje të këtij operacioni mafioz, politik, mediatik e financiar nuk i intereson: Që nuk ka përmendur emrin e zotit Meta për asnjë transfertë apo praktikë korruptive lidhur me çështjen e DIA-s.

Është përmendur fakti që kanë qenë politikanë dhe ish-kryeministër i proceduar më parë për korrupsion. Ka dalë shumë qartë nga dokumentet, të cilat nuk dëshironi t'i pranoni, flas për ata që janë vënë në mbështetje të operacionit mafioz, politik, mediatik e financiar, se ka qenë një ish- kryeministër i cili ka përfituar transferta nga kompania DIA për  llogari të kompanisë së tij private e regjistruar në QKR në emër të tij."    

Kreu i Kuvendit ka sqaruar më pas edhe arsyen pse nuk jep dorëheqjen nga posti i tij. Ai tha se nëse ekziston qoftë dhe një letër nga ish-ministrat e opozitës që justifikojnë implikimin e tij, nuk do të jetë e nevojshme t’ia kërkojnë dorëheqjen pasi do të dorëhiqet vetë.

"Mos u konsumoni kaq shumë duke stërpërdorur Tom Doshin e Dritan Priftin. Mos u bëni pjesë e këtij operacioni mafioz, politik mediatik e financiar.

Më kërkoni dorëheqjen mua se ka thënë kryetari i partisë, i pafajshmi Lulzim Basha. Pse duhet të jap dorëheqjen, se ka mashtruar gazetarja e BIRN?!

Mbi çfarë baze ta jap dorëheqjen? Apo u mësuat keq me mua. 

Sa herë të gjeni ju ndonjë mashtrues, gazetar e mafioz që bën deklarata do të jap unë dorëheqje? E kush e kërkon, Lulzim Basha. Unë e dhashë shembullin tim me dorëheqje, ndërsa Basha i iku procesit gjyqësor me raporte mjekësore e duke mbyllur çështjen me procedurë. 

Ndoshta është dhe parim që nuk kam folur më përpara pak më hapur, por kam menduar që do të ndërgjegjësoheshit. Unë jam për hetim ndërkombëtar, jam dhe për hetim amerikan".

/portali DurresLajm/