29 shtator 2015 – Në institucionin e Prefektit të qarkut Durrës u organizua një takim mbi gjendjen e monumenteve të kulturës në qark. Ishin të pranishëm përfaqësues të drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare (DRKK), policisë së shtetit, policisë kufitare dhe migracionit, bashkive Durrës, Shijak dhe Krujë, Forcës Detare, sektorit zjarrfikës, drejtorisë rajonale arsimore, universitetit “Aleksandër Moisiu” etj. Në fjalën e tij Prefekti Rolant Xhelilaj theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen dhe kujdesin që duhet treguar për monumentet e kulturës. Sipas zyrës së Prefektit, kreu i DRKK-së Ledion Lako renditi disa probleme, që janë hasur në monumentet e kulturës në qark, sidomos në tri emblemat e qytetit bregdetar.
Arkeologjiku, rrugë kalimi për banorët dhe kazanët e plehrave
Një nga pikat më të rëndësishme të frekuentuara nga turistët është muzeu arkeologjik. Por banorët e objekteve që ndodhen prapa godinës së muzeut, për të hyrë në shtëpitë e tyre, përdorin oborrin e muzeut, tha Lako. Ky i fundit u ankua se në tabelat e reklamave shpeshherë afishohen billborde, të cilat bien ndesh me vlerat dhe kulturën që ky institucion i rëndësishëm prezanton, jo vetëm para turistëve vendas, por dhe atyre të huaj. Po ashtu para oborrit të muzeut dhe në afërsi të hyrjes janë të vendosur kazanët e mbeturinave, duke dëmtuar kështu imazhin e tij me pamjen dhe aromat e pakëndshme.
Natën në amfiteatër
Po kështu amfiteatri romak, i vetëm i këtij lloj në Shqipëri, bëhet shpeshherë pre e hyrjeve të paautorizuara në mjediset e brendshme të tij gjatë orëve të vona të natës. Kazanët e mbeturinave, të cilat ndodhen në pjesën jugore të tij dhe në afërsi të hyrjes, përbëjnë shqetësim për vizitorët.
Forumi bizantin, qen, reklama të paautorizuara, vjedhje kangjellash
Brenda forumit bizantin ka prani qytetarësh me qen. Në kangjellat rrethuese të monumentit shpeshherë vendosen reklama të paautorizuara. Problem tjetër shumë i rëndësishëm ishte dhe vjedhja e kangjellave metalike rrethuese të monumentit nga persona ende të paidentifikuar.
Detyra specifike për çdo institucion
Nismat e drejtorisë së bashku me policinë e qarkut nuk kanë munguar dhe janë kryer kontrolle, por lind nevoja e hartimit të një plani masash në bashkëpunim të dy drejtorive për zgjidhjen e këtij problemi. Për të gjitha këto problematika dhe të tjera u kërkua bashkëpunim institucional dhe ndërhyrje dhe për të cilat u lanë detyra specifike.
/th. m. DurresLajm/