29 shtator 2015 – Dy fëmijë shqiptarë kanë humbur jetën në një aksident të rëndë në Gjermani, që rezulton të jetë kryer me qëllim nga vetë babai i tyre.

Aksidenti ka ndodhur në një rrugë afërsi të Dresdenit, dhe në timonin e makinës tip “BMW” ka qenë një shqiptar nga Kosova, 46 vjeç, dhe dy fëmijët e tij vajza dhe djali, respektivisht 4 dhe 5 vjeç.

Sipas medieve gjermane, fëmijët humbën jetën në vend, ndërsa babai i tyre ka shpëtuar e ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Duke cituar policinë gjermane, po të njëjtat medie shkruajnë se shqiptari ishte me shpejtësi të lartë në momentin kur goditi dy pemë në anë të rrugës. Por prokuroria e Dresdenit ka konstatuar se nuk bëhet fjalë për një aksident, por për një vrasje të dyfishtë ose një tentativë për vetëvrasje.

46-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, e ka kryer këtë veprim për t’u hakmarrë ndaj gruas që e kishte ndarë.

/S.L. portali DurresLajm/