29 shtator 2015 – Disa persona të armatosur kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të efektivëve të policisë, mbrëmjen e së hënës në vendin e quajtur Sherishtë në Vlorë. 

Rreth orës 23:00, dy automjete po lëviznin me shpejtësi, konkretisht një “Benz” me targë AA191HS dhe një “Land Rover” me targë VL1553D. Kur një patrullë policie vuri re lëvizjen e tyre jshtë rregullave, i ndaloi.

“Jemi Policia. Çfarë problemi keni?”, pyetën uniformat blu, kur në këtë moment shoferi i “Land Rover”-it qëllon me pistoletë në drejtim të makinës së policisë dhe largohet me shpejtësi.

Menjëherë shërbimi ka komunikuar me makinën tjetër të policisë që ishte në pikën tjetër të postobllokut, e cila ka bërë ndalimin e të dy mjeteve që po lëviznin njëri pas tjetrit në drejtim të Vlorës.

Personat që ndodheshin në “Land Rover” kanë braktisur mjetin ku u gjetën dhe dy automatikë, ndërsa 3 persona janë bllokuar në mjetin Benz, ku ka rezultuar që njëri prej tyre ishte i plagosur. Pasi është pyetur, i plagosuri ka deklaruar se është plagosur në fshatin Kotë për rrethana akoma të paqarta nga policia.

Dy vëllezërit Vasil dhe Ilir Birçaj 37 dhe 46 vjeç banues në lagjen “Hajro Çakërri” u arrestuan së bashku me shtetasin e plagosur, Martin Hitaj 35 vjeç, i cili po mjekohet në Spitalin Rajonal.

Policia është duke kryer të gjitha veprimet e para hetimore për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

/portali DurresLajm/