18 shtator 2015 – Nis procedimi penal ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Krujës, Shkëlzen Hoxha për shpërdorim detyre.

Specialistët kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Durrësit filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 39-vjeçarit dhe gjithashtu për dy shtetasit e tjerë: 28-vjeçarin Indrit Fida, ish-punonjës i Bashkisë Krujë dhe 61-vjeçarin Xhuma Rroshi, banues në Krujë.

Hetimi ndaj ish-kryetarit dhe dy personave të sipërpërmendur nisi pasi drejtuesit aktualë të Bashkisë së Krujës, si përfaqësues të grupit të marrjes në dorëzim të një objekti, (investim i Ministrisë së Punëve të Brendshme), kanë konstatuar se nuk janë zbatuar procedurat dhe kriteret teknike të punimeve të objektit në fjalë.

Policia njofton se nga verifikimet e kryera në datë 24.06.2015, objekti rezultoi i papërfunduar dhe shuma prej 2.0516.356 lekësh i është kaluar në llogari firmës, duke shkelur kontratën.

Materialet e kësaj çështjeje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti”.

/S.L. portali DurresLajm/