14 gusht 2015 – Një fëmijë vetëm 4 vjeç nga Lekasi i Pogradecit ka kaluar natën në komisariat për 11 orë pasi ndodhej me babanë në momentin e arrestimit të tij për dru kontrabandë. Sipas deklaratës së nënës të djalit të vogël, ai nuk është ushqyer nga policia gjatë orëve të qëndrimit në paraburgim dhe kjo ka sjellë si pasojë përkeqësimin e shëndetit të 4-vjeçarit.

“Policia ma la fëmijën 4 vjeç në Komisariat nga ora 22:00-23:00 i natës deri në orën 09:00 të mëngjesit. Fëmija ndenji pa gjumë dhe pa ushqim, ishte trembur shumë, ishte i këputur, tani e kam shtruar në spital. Nga dita e djeshme djali ka qenë shumë i shqetësuar, tani doktorët po e mbajnë me serume”, është shprehur e ëma e djalit, Majlinda Leka.  

Ngjarja ka ndodhur më 11 gusht në fshatin Zvirinë, ndërsa policia në lidhje me denoncimin e nënës së djalit ka thënë se ai është trajtuar normalisht dhe me kujdes.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/