13gusht 2015 – Shqiptarët janë pikë referimi për grupet kamorriste napoletane në tregtinë më fitimprurëse të momentit; pilulat narkotike “ekstazi”. Tre adoleshentë italianë kanë humbur jetën gjatë ditëve të fundit pas një nate të kaluar në diskotekë nën përdorimin e pilulave ekstazi. Këto pilula janë nga format më të përhapura të drogës nga të rinjtë në kërkim të emocioneve të forta sidomos në ambiente festash e diskotekash. Sipas hetimeve të Policisë italiane tregu ndërkombëtar i pilulave ekstazi të shitura në Itali ka dy nyje qëndrore veprimi; Hollandën e Napolin.
Mes tyre një rol të rëndësishëm kanë shqiptarët si ndërmjetësuesit kryesor të këtij biznesi me fitime marramendëse. Në Holandë pilulat ekstazi rafinohen e magazinohen, ndërsa në rajonin e Kampanjës me qendër në Napoli shpërndahen e tregtohen nga grupet kamorriste të këtij territori.
Hetimet e Policisë italiane kanë verifikuar se trafikimi i ekstazi ndryshe nga lëndët narkotike klasike është një sistem i veçantë, një biznes ku marrin pjesë pak organizata, vetëm 5-6 grupime kamorriste.
Arsyeja është sepse për të funksionuar sic duhet kanë nevojë për një rrjet të shtrirë mirë ndërmjetësuesish e shitësish ambulantë që njohin mirë kodet e dinamikat e popullit të natës, që kalon orët e vona në kërkim të së panjohurës e të emocioneve të forta.
Blerja e pilulave narkotike ekstazi zakonisht kryhet brenda një dite në hotele periferike të Amsterdamit.
Kamorristët napolitanë përdorin udhëtime low cost nga Italia drejt Hollandës, zgjedhin mallin që duan ta tregtojnë më pas në vendin e tyre e brenda pak orësh kanë përfundiar biznesin e tyre. Janë grupet e shqiptarëve në Hollandë ata që merren me administrimin e marrëveshjeve të shitblerjes.
Shqiptarët janë rafineria e kontaktit me Europën Lindore nga ku importohen substancat bazë për prodhimin e pilulave ekstazi. Me 2000 euro mund të blihen me shumicë 5 mijë pilula narkotike ekstazi e që shitem me pakicë me cmime që variojnë nga 5 deri në 15 euro.
Fitimi është i garantuar deri më 4 mijë përqind. Kamorra napoletane furnizon me pilulat narkotike ekstazi rajonin e Lacios, Abruzzon e Revierën Romanjole. Rastet e shtuara të viktimave nga ekstazi kanë sjellë në vëmëndjen e politikës italiane e të kreut të Selisë së Shenjtë Papa Francesko fenomenin e përhapjes e përdorimit të drogës tek të rinjtë me një përqindje preokupuese rritjeje tek moshat adoleshente.
“Ritmet e shfrenuara të festave shkaktojnë shpesh viktima e sidomos në grupmoshat e reja. Duhet të kujdesemi më shumë për fëmijët tanë, për nipërit tanë”, ka deklaruar në udiencën e fundit të mbetur në Vatikan Papa Francesko. /javanews/