13 gusht 2015 – Tri raste të dhunës në familje janë raportuar nga policia ditën e sotme, një në Tiranë e dy të tjerat në Durrës. Rasti i parë merr përmasa akoma më tragjike e të rënda, pasi bëhet fjalë për një fëmijë të vogël 11 vjeç, i cili është rrahur aq keq nga i ati, sa është bërë për spital.

44-vjeçari Lek Nimani i dënuar më parë, ka ushtruar dhunë ndaj djalit të tij, duke i shkaktuar dëmtime të ndryshme në trup. Policia thotë se Nimani, i cili u arrestua në flagrancë, e dhunoi të birin gjatë një konflikti në familje, por motivi nuk bëhet i ditur. Ngjarja ka ndodhur në Kamëz.

Ndërkohë që në Durrës, policia lëshoi urdhrin e mbrojtjes së menjëhershme për një burrë 68-vjeçar dhe një vajzë të re 25 vjeçe.

68-vjeçari me iniciale M.R., është dhunuar fizikisht e psikologjiksht nga vetë djali i tij 35-vjeçar, shtetasi A.R.

Ndërsa për të renë 25-vjeçare, mësohet se e ka dhunuar personi me të cilin ajo bashkëjetonte, 24-vjeçari me iniciale S.C.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/