27 korrik 2015 – Shkojnë për të pushuar në Golem, por bien pre e grabitësve.

‘Gazeta shqiptare’ shkruan se kjo gjë u ka ndodhur disa pushuesve shqiptarë dhe të huaj, të cilët gjatë mbrëmjes së të shtunës, janë grabitur nga persona të panjohur në kohën që kanë qenë duke pushuar në dhomat e tyre që kishin marrë me qira për ditët e plazhit.

Konkretisht, sipas të dhënave të uniformave blu, bëhet me dije se te kompleksi turistik “X..”, persona ende të paidentifikuar gjatë orëve të natës kanë arritur të grabisin 6 pushuesit e këtij kompleksi, të cilët edhe pse kanë qenë në banesë, nuk kanë mundur që të bëjnë dot gjë.

Mësohet se pre e grabitësve kanë rënë pushuesit M.T. 47 vjeç, S.R. 55 vjeç, A.A. 35 vjeç, V.B. 57 vjeç, O.K. 24 vjeç dhe I.M. 55 vjeç, të cilët rezultojnë banues në Bosnjë Hercegovinë, Prishtinë, Korçë e Kosovë.

Policia sqaron se grabitësit kanë shfrytëzuar faktin që pushuesit i kanë lënë dyert pa kyç, për shkak edhe të temperaturave shumë të larta, por edhe duke shfrytëzuar momentin që kanë qenë me pushime. Pikërisht në momentin që kanë qenë duke fjetur, grabitësit kanë hyrë në banesat e tyre dhe u kanë marrë sende të ndryshme personale dhe të gjitha lekët që kanë pasur me vete.

Gjithashtu, gjatë mbrëmjes së të shtunës është shënuar edhe një tjetër grabitje në zonën e Golemit, ku janë vjedhur pushuesit E.K., 61 vjeç dhe A.B., 25 vjeç banues në Malishevë dhe Tiranë. Atyre u kanë marrë afro 250 euro, 6060 lekë, 2 aparate telefoni, 2 letërnjoftime, 2 karta ‘Raiffaisen Bank’ dhe ‘Biznes BPB’, 10000 lekë.

Për shkak të ngjashmërisë së grabitjeve edhe të zonave shumë të afërta ku kanë ndodhur vjedhjet, policia dyshon se mund të jetë i njëjti grup grabitësish dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre, shkruan ‘Gazeta Shqiptare’.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/