16 korrik 2015 – Katër mijë euro janë grabitur në një pikë transfertash parash në Lushnje pasditen e djeshme, nga një 26-vjeçar.
I riu hyri në dyqan i maskuar me skafandrën e motorit në kokë, dhe më pas ka marrë me dhunë 4 mijë euro e është larguar nga vendngjarja me motorin e tij.
Policia thotë se pas identifikimit u bë i mundur arrestimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, Ersant Dervishi, 26 vjeç, banues në fshatin Karbunarë e Vogël në Lushnje.
Gjithashtu policia ka arritur të sekuestrojë motorçikletën e autorit, e markës Lifan dhe një skafandër me ngjyrë të zezë.
Dervishi akuzohet për veprën penale ‘vjedhje me dhunë’, i dënuar edhe më parë nën këtë akuzë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/