15korrik 2015 – Policia e Tiranës hodhi sot dritë mbi grupin e ekzekutorëve me pagesë, të drejtuar nga i burgosuri i përjetshëm, Admir Tafilaj. Janë 9 të arrestuar deri tani dhe 4 të tjerë në kërkim, të cilët janë porositës apo anëtarë të grupit kriminal, i cili pagoi 50 mijë euro për vrasjen e biznesmenit durrsak, Leonard Murati mbrëmjen e 18 nëntorit të vitit të shkuar. “Në përfundim të hetimeve rezulton e provuar se me porosi të Admir Tafilajt ndodhën këto ngjarje: Më datë 25.06.2014 është kryer vrasja e Brahim Manit në Shkodër nga shtetasi Kristi Pine. ”Gjatë nëntorit të vitit 2014, Kristi Pine ka marrë porosi nga shtetasi Admir Tafilaj për të vrarë Leonard Murati, kundrejt një shume prej 50.000 euro. Shtetasi Leonard Murati është ekzekutuar më pas nga persona të tjerë në qytetin e Durrësit”, bëri të ditur policia. Në kërkim janë shtetasit me inicialet J.G., K.XH. dhe F.G., të cilët dyshohet se ekzekutuan biznesmenin durrsak.
Anëtarët e grupit kriminal
• Admir Bahri Tafilaj (drejtues i grupit) – i dënuar me burgim të përjetshëm.
• Kristi Jovan Pine – (ekzekutor), arrestuar në datë 16.02.2015
• Alfred Shefqet Qefali (ekzekutor), i arrestuar në datë 11.02.2015
• Aleksander Ridvan Goro (antar), i arrestuar në datë 16.02.2015.
• Elson Pal Merdani (anëtar i grupit), kunati i A.Tafilajt, i arrestuar në datë 14.02.2015
• Albano Beqiraj (anëtar i grupit), i arrestuar në datë 14.02.2015
• Adrian Emaz Uzuni (anëtar – porositës), i arrestuar në Torino, Itali për vepra penale në fushën e narkotikëve në shtetin italian.
• Fatos Mehmet Koka (anëtar i grupit), i arrestuar në datë 11.07.2015
• Dhimiter Bujar Zito (anëtar i grupit), arrestuar në datë 18.03.2015
• Dritan Myzafer Peksani, i shpallur në kërkim
KRIMI
Leonard Murati u qëllua për vdekje mbrëmjen e 18 nëntorit të shkuar, në hyrjen e lokalit të tij, në qendër të Durrësit. Autorët shfrytëzuan motin me stuhi për të lëvizur pa u kapur në kohë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/