11 korrik 2015 – Mëngjesin e kësaj të shtune, ka shpërthyer zjarri në një punishte druri në lagjen nr. 17 pranë ndërmarrjes së Ujësjellësit në Durrës. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk pati persona të lënduar, por flakët e zjarrit të përmasave të mëdha rrezikuan edhe banesat përreth, duke vënë qytetarët e shumtë në panik.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat zjarrfikëse për të bërë të mundur neutralizimin e flakëve të fuqishme të cilat vijuan për një kohë të gjatë.

Deri më tani, nuk është bërë ende i ditur shkaku i zjarrit, por paraprakisht dyshohet për ndonjë shkëndijë elektrike. 

Zjarri shkrumboi plotësisht magazinën e drurit dhe shkaktoi dëmtime dhe te banesat pranë punishtes.

/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/