10 korrik 2015 – I burgosuri shqiptar nuk e kishte harruar dhunën që kishte ushtruar ndaj tij një gardian grek në burgun e Konicës. Ditën e djeshme, i dënuar shqiptar pikasi në burgun e Janinës se, një nga gardianët ishte pikërisht ai që e kishte rrahur në Konicë dhe kërkoi të marrë hak ndaj tij. Ai dhunoi gardianin grek, duke i sjellë ndërmend ngjarjen që kishte ndodhur ne Konicë.
Media vendase që konfirmoi lajmin tha se, emigranti shqiptar ishte arrestuar nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike dhe pas qëndrimit pak kohë në burgun e Konicës, ishte transferuar në atë të Janinës. E njëjta gjë kishte ndodhur dhe me gardianin e dhunshëm. Pak kohë pasi rrahu të riun shqiptar, ishte transferuar edhe ai në Janinë.
Policia tha se, në ndihmë të të riut shqiptar erdhën dhe të burgosur të tjerë, të irrituar nga fakti që emigranti ishte rrahur në grup nga gardianët e Konicës. I lënduari u dërgua për mjekim në spital dhe pak orë më vonë u rikthye në burg.
Policia nuk mori asnjë masë ndaj gardianit, që u denoncua për dhunë në bashkëpunim, por hapi çështje të re penale për të riun shqiptar, atë të “vrasjes së mbetur në tentativë” të punonjësit të policisë, në krye të detyrës.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/