7 korrik 2015 – Gruaja që mbajti në banesë për rreth 15 minuta vrasësin e turistëve çekë, Sokol Mjacajn, ka rrëfyer për atë që ndodhi në momentin kur personi i kërkuar nga policia hyri në banesën e saj, e deri sa u arrestua.

“E pyeta mos ishte ai djali që kërkojnë dhe ai ma konfirmoi, duke thënë vetëm “Po”. Më hyri frika dhe i thashë që bënte mirë të dorëzohej dhe iu luta të mos më bënte keq. Ka qëndruar rreth 15 minuta brenda në shtëpinë time”, tregon Age Koçeku.

E frikësuar se mos ndoshta dhe e vriste, banorja e fshatit Grudë e Re, rrëfen se si vrasësi, i cili po kërkohej nga forca të shumta policie kudo nëpër zonën përreth, i premtoi asaj që nuk do t’i bënte gjë, madje i tha që do të dorëzohej.  

“Ai ishte i qetë, ndërsa unë kisha frikë, dridhesha e tëra aq sa më derdhej uji kur ia çova. Mos më merr në qafë mua dhe veten, i thashë. Por, ai më tha se nuk do të më bënte asgjë. Kishte një brisk të vogël në xhep që e nxori dhe e futi përsëri në xhep.

Jo nuk kam armë me vete, por telefonoji policisë e thuaji që dua të dorëzohem”, i kishte thënë Sokol Mjacaj kur kishte vënë re frikën e gruas.

Për më tepër ndiq intervistën e Koçekut dhënë për ‘News 24’:

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/