6 korrik 2015 – Babai i Anna Kosinova-s, turistes çeke që u vra mbrëmjen e 3 korrikut së bashku me të dashurin e saj Michael Svatos në Dukagjin, thotë se ngjarje të tilla ndodhin edhe në vendin e tyre. Madje, Pavel Kosinova thotë se në Çeki të vrasin për 20 Koruna (monedha çeke).
Intervista e siguruar nga 'A1 Report':
Babai: Nuk di pothuajse asgjë, di vetëm që janë qëlluar dhe ku ka ndodhur ngjarja.
Gazetari: A ka ardhur policia në shtëpinë tuaj?
Babai: Po, erdhën rreth orës 11 paradite. Por unë nuk di shumë. Vajza është e rritur, ajo nuk na tregon shumë. Di vetëm që kishte shkuar për pushime. Ata kanë qenë edhe vjet bashkë për pushime. Është shumë e vështirë të them ndonjë gjë, sepse vërtet nuk di shumë.
Gazetari: Kur është hera e fundit që jeni takuar me vajzën?
Babai: Përpara se ajo të nisej. Të mërkurën.
Gazetari: Çfarë menduat kur e zbuluat? A mundët ta besoni që ka ndodhur një gjë e tillë kaq e tmerrshme?
Babai: Edhe ndodh. Këtu të vrasin për 20 Koruna (monedha çeke), pse të mos ndodhë diku në Shqipëri. Kështu e ka jeta. S’kemi çfarë t'i bëjmë.
Gazetari: A jeni në kontakt me Ministrinë e Jashtme apo policinë? A ju kanë njoftuar se çfarë po bëhet?
Babai: Kam një numër telefoni dhe mund t'i kontaktoj nëse duhet. Por, edhe ata do të bëjnë të njëjtën gjë.
Gazetari: A keni menduar për ceremoninë e varrimit dhe e dini se kur do ta sjellin trupin e vajzës?
Babai: Jo, s’kam informacion për këtë. Ata thjesht më thanë që do ta sjellin trupin. Por nuk e di sikur, sepse duhet bërë fillimisht autopsia.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/