25 qershor 2015 – Gjashtë shtetas shqiptarë u arrestuan nga karabinierët në Borgotaro të Italisë, për posedim dhe trafikim droge.
“La Repubblica” raporton se një ndër trafikantët kryesorë ishte, Roland Barkaj, 30-vjeçari shqiptar banues në Genova, ndërsa 5 të tjerët janë Albano Rada, Ici Jenci, Evis Janeci, Xhaferr Cullhaj dhe Denis Bilbili.
Nga Genova droga kalonte në Borgotaro, duke udhëtuar me tren. Në Borgotaro bëheshin aktiv shpërndarësit e tjerë, Albano Rada, 28 vjeç, së bashku me Ici Jencin, 39 vjeç, të cilët menaxhonin tregun lokal.
Por pas operacionit në Fidenza, mediat italiane bëjnë me dije se, Albano Rada u kthye në Shqipëri. Vendin e tij e zuri Evis Janeci, 27 vjeç. Karabinierët e zbuluan më 6 qershor të vitit 2014 me 104 gramë kokainë, të sapo blerë në Genova.
Janeci mbeti dhe viktimë e një grabitjeje të mbetur në tentativë, të kryer nga Xhaferr Cullhaj, 25-vjeçari banues në Medesano, për mospagesën e një dërgese droge. Kokaina kishte dalje edhe në Parma, ku ishte aktiv shtetasi tjetër shqiptar, Denis Bilbili, banues në Venecia. Edhe ai furnizohej në Liguria, falë kontakteve me Barkaj.
Gjashtë shqiptarët janë arrestuar nga karabinierët në Borgotaro,dhe gjatë hetimeve janë sekuestruar 320 gramë kokainë, 66 fishekë të kalibrit 12 dhe një pushkë.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/