18 qershor 2015 – Një shpërthim me eksploziv ka ndodhur sërish në Fushë Krujë. I radhës është shënuar në lagjen ‘Partizani’, në lokalin “7 Yjet” në pronësi të shtetasit K.Q., 45 vjeç, banues në Krujë.

Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Si pasojë e këtij shpërthimi janë shkaktuar dëmtime te gjeneratori i lokalit, janë dëmtuar xhamat si dhe mjeti tip ‘Sharon’ me targë ‘KR8533A’, i parkuar aty pranë  që është në pronësi të shtetasit H.I.

Në vendngjarje, përveç forcave të policisë, kanë shkuar ekspertë xhenierë të Njësitit Antieksploziv Reparti RENEA Tiranë, të cilët do të përcaktojnë sasinë dhe llojin e kësaj lënde shpërthyese.

Mësohet se deri tani janë kryer veprimet e para hetimore dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje.

Ndërsa, materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë Krujë për veprime të mëtejshme për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me eksploziv” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak”.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/