9 qershor 2015 – Në një intervistë mjaft interesante për revistën ‘Java’, humoristi i njohur Ermal Mamaqi ka thumbuar politikën shqiptare, kur u pyet nëse pëlqimet në Facebook-un e tij do të ktheheshin në vota, a do të garonte për president të Shqipërisë me referendum. Mamaqi thotë se nuk do të plotësonte kriteret, pasi nuk ka vrarë njeri, nuk ka vjedhur, nuk është marrë me drogë dhe as nuk disponon ndonjë diplomë universiteti false, që të bëhet deputet, e jo më president.
“Kjo pyetje të vajti vetë në mend apo e ke biseduar më parë me Ilir Metën, sepse e di që ai është kingu që bën kingmaker-in?
Të të them një sekret: kur e kam folur me Doktorin që më tha se e kishte pak problem se do të mërzitej Bujari nëse merrte në nishan emrin tim si president, Rama i shkruante SMS Lul Bashës që t’i dërgonte shoqes së ngushtë të gruas sime një tekst në viber: Të lutem më thuaj nëse mund të ndodhë mrekullia!
Domethënë nëse pranoja të bëhesha President. Por unë e kam mendjen top, edhe sikur të më quanin Bamir që nuk do të hyj në politikë. Nuk kam asnjë ambicje vetjake. Pastaj as nuk kam vrarë, as nuk kam vjedhur, as nuk jam marrë me drogë dhe as nuk kam diplomë universiteti false.
Pra, nuk plotësoj asnjë kriter për t’u bërë deputet dhe jo më të bëhem president. Megjithatë, siç ka thënë në gusht të vitit 1989 zoti Sali Berisha, atëherë intelektual në takim me Ramiz Alinë, kurrë mos thuaj kurrë! Kështu që kur të më bëhet tre milion “like”, mund edhe ta ndryshoj mendjen.
Tani për tani mendoj se do të ishte mirë që të kishim një kurs këmbimi sipas tabelës: një like barabar me një votë, barabar me një euro. Like i thërrasin shkurt edhe Ilir Metës? E sheh që kjo është një arsye që të më ecë mbarë në jetë?”, ka thënë Mamaqi, si gjithmonë me humorin që e karakterizon.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/