Zbardhja e shkaqeve që çuan në shembjen e pallatit të Konomëve gjatë tërmetit të 26 nëntorit, duket një proces sfilitës dhe zhgënjyes për ata që kërkojnë drejtësi. Prokuroria e Durrësit vendosi pushimin e hetimeve, pa ngarkuar askënd me përgjegjësi penale për vdekjen e 7 personave, anëtarë të dy familjeve. Dokumentet në dosjen voluminoze të këtij pallati nxjerrin zbuluar institucionet dhe agjencitë ligjzbatuese, që lejuan të ndodhë fatkeqësia përgjatë një harku të gjatë kohor, sipas të cilëve investitorët janë kujdesur të plotësojnë kriteret ligjore, por kanë çeduar në zbatimin e tyre.
Nga Vali Qyrfyçi
Me ato pak objekte që mundi të gjejë në rrënojat e pallatit, ku humbën jetën Esiela 8 vjeç, Diena dhe Roza, kryekomisari Ajet Meçe ka krijuar një dhomë kujtimesh; një dhomë ku dhimbja nuk ka peshë e as kohë. Shumë foto i mblodhi nga rrjetet sociale e shumë të tjera, nga shtëpia e së bijës, miq e familjarë, që i dërguan çdo copëz kujtimi që kishte me vajzat e familjes së tij, që u shuan nga tërmeti i 26 nëntorit. Teksa na tregon në celularin e mbushur plot me “thesare”, siç i quan ai, disa vizatime të mbesës, Esiela, pothuajse dy vite pas tragjedisë, Ajeti nuk ka mundur të gjejë as paqe e as drejtësi.
“Jetoj me dhimbjen, derisa t’iu shkoj pranë. Shkoj shumë rrallë te rrënojat e pallatit, sepse ende dëgjoj thirrjet e vajzave, veçanërisht mbesës, për ndihmë. Mbesa ulërinte. Vajza thërriste: “Babi shpëtomë! Këtu jam”. Janë kujtime që më mbysin”, – rrëfen Ajet Meçe për Investigative Network Albania.
Pallati i fatkeqësisë, një godinë 6-katëshe, që kishte nisur si një banesë private banimi e familjes Konomi, ku jetonin dy djemtë dhe dy vajzat me familjet e tyre, u rrafshua krejtësisht si pasojë e tërmetit. Ai ishte ndërtuar nga babai i ish-kreut të PS-së së Durrësit dhe ish-deputetit Edison Konomi, Perikli Konomi. Ideja e një pallati, ku jetonte edhe vetë pronari me fëmijët e tij, ishte joshja pse Ajeti e bleu këtë apartament dy dekada më parë.
Me barrën e kujtimeve që nuk arrin t’iu shpëtojë, një pjesë të fajit ia ngarkon edhe vetes për atë që ndodhi.
“Bleva vdekjen, kur bleva atë pallat në vitin 1995, ndërsa isha i bindur se kisha blerë një shtëpi bunker, plot diell e siguri. Ata, që kanë në dorë të bëjnë drejtësi, të mos harrojnë se jetën nuk e kemi blerë”, – thotë Ajeti.
Paradoksi, 7 viktima, por asnjë fajtor
Hetimet për objektet e banimit dhe hotelet, ku u regjistruan viktima, nisën tri ditë pas tragjedisë. Në përfundim të tyre, sipas prokurorisë, rezultoi se shtetasit Zylfi Xhelili, Shyqyri Krymbi dhe Selim Ushina me dashje direkte kanë kryer projektimin dhe ndërtimin e objektit pesëkatësh, më pas edhe të katit shtesë, plus çatisë, në kundërshtim me kushtet teknike, të vendosura të Republikës së Shqipërisë (KPT dhe KTZ), për projektimin dhe zbatimin e punimeve në ndërtim.
Edhe Sabri Kalatsi, përgjegjës i Zyrës së Urbanistikës, rezultoi se, në kundërshtim me ligjin ka nënshkruar Lejen e shfrytëzimit për objektin, pa pasur më parë të gjithë dokumentacionin tekniko-ligjor, duke konsumuar veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Pallati nr. 1650, në lagjen 18, pranë Kryqit të Kuq, i njohur si pallati i Konomëve, u përjashtua nga gjykimi, pasi në përfundim të hetimeve rezultoi se tre personat e gjetur përgjegjës për projektim e zbatim të gabuar të ndërtimit nuk jetojnë më; ndërsa i katërti nuk mund të procedohej penalisht për “Shpërdorim detyre”, pasi kishin kaluar më shumë se 10 vjet nga kryerja e kësaj vepre penale, vepër e cila përcaktohet në nenin 66/c të Kodit Penal.
Investigative Network Albania u përpoq ta kontaktonte këtë person, por mësuam se edhe ai ishte ndarë nga jeta gjatë pandemisë.
Përkundër fatit të këtij pallati, i cili i shpëtoi drejtësisë, edhe pse ankuesit pretendojnë se nuk janë marrë në konsideratë të gjitha faktet, të gjitha godinat që u shembën në Durrës pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019 dhe patën humbje jete, përfunduan në gjykatë. Aktualisht po gjykohen 14 persona për veprat penale të “Vrasjes nga pakujdesia”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”. Nuk ndodhi e njëjta gjë me pallatin ku u shua familja e Ajetit.
Ata që kërkojnë drejtësi, deklarojnë se, hetimet që çuan në përjashtim të përgjegjësisë penale për këtë pallat, nuk kanë qenë të plota. “Nuk morën parasysh shumë elemente, ndërsa anashkaluan marrjen e dëshmive që mund të hidhnin më shumë dritë dhe të çonin në bankën e të akuzuarve edhe persona të tjerë, përgjegjës”, – pretendojnë ata.
Këtë pretendim e bazojnë te relacioni i një prej OPGJ-ve, pjesë e dosjes hetimore të objektit, ku sugjerohet se, përveç shtetasve Zylfi Xhelili, Selim Ushina, Shyqyri Krymbi dhe Sabri Kalatsi, që nuk jetojnë më, nën hetim duhet të merren dhe shtetasit Perikli Konomi për veprën penale “Vrasje”, “Mashtrim” dhe “Shkatërrim i pronës nga pakujdesia”, djali i tij, Leonard Konomi, për “Ndërtim të paligjshëm”, si dhe Bedri Luku për “Shpërdorim detyre”, ish-drejtues i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në të njëjtin dokument kërkohet të pyetet dhe administratori i firmës së ndërtimit, 3D, ndërsa theksohet se nuk ka qenë e mundur të merren në pyetje dhe emra të tjerë, të rëndësishëm për këtë hetim dhe gjetjen e përgjegjësive, si konstruktorja Alma Golgota (Byroja e Studim-Projektimit, Durrës), inxhinierja E. Bazi, që ka kryer planin e rivelimit, ish-kryetari i Këshillit të Rrethit Durrës, Medi Tatani, që e ka miratuar këtë plan, si dhe M. Priftuli, arkitekte në Byronë e Studim-Projektimit, Durrës.
Absurdi qëndron në faktin se vdekja e personave gjatë tërmetit është pranuar zyrtarisht nga organi i akuzës durrsake se ka ardhur nga papërgjegjshmëria, mosrespektimi i standardeve të ndërtimit, cilësia e dobët apo sasia e cunguar e materialeve për të ulur kostot e ndërtimit, si dhe shpërdorimi i detyrës nga autoritetet përgjegjëse, vendore për dhënien e lejeve dhe kolaudimin e objekteve. Në këto kushte, kur personat përgjegjës nuk jetojnë më, dhënia e drejtësisë për viktimat është një proces tejet delikat dhe i komplikuar.
“Çfarë ndodh? Pse drejtësia nuk funksionon njësoj për këdo? Ai që ka hedhur paratë, ka dhënë pará më pak për ndërtimin dhe pallati u shkërmoq. Unë jam oficer policie, por ajo që besoj, është se projektuesi, zbatuesi dhe investitori mbajnë përgjegjësi”, – shprehet Meçe i revoltuar.
Ekspertiza teknike, shembja, jo si pasojë e fatkeqësisë
Me kërkesë të 3 prokurorëve të çështjes, ekspertët e licencuar, Rikard Luka dhe Anjeza Gjini, inxhinierë ndërtimi të profilit Strukturist, kryen në korrik të vitit 2020 aktin e ekspertimit për pallatin e shembur në lagjen 18. Në këtë akt dalin në pah disa problematika dhe fakte që çuan prokurorinë në konstatimin se shembja e pallatit ndodhi jo si pasojë e fatkeqësisë natyrore.
Akt-ekspertiza thekson se pallati 1650 nuk është zbatuar dhe kolauduar në përputhje me kërkesat e kuadrit ligjor në fuqi në vendin tonë në kohën e kryerjes së ndërtimit, ndaj pyetjes së prokurorisë se cilat janë shkaqet që çuan në shembjen e këtij pallati, ekspertët i përgjigjen se janë: “Mosrespektimi i projektit konstruktiv gjatë zbatimit të ndërtimit të pallatit 5-katësh, veçanërisht sasia e pamjaftueshme e armaturës së hekurit në kolonat e katit përdhe”, si dhe fakti se kati shtesë është projektuar për t’u ndërtuar mbi një strukturë që nuk ishte llogaritur për të përballuar ngarkesa shtesë vertikale, të cilat kanë sjellë rritjen e peshës/masës së saj dhe për rrjedhojë rritjen e forcave sizmike që kanë vepruar gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019”.
Dimensionet e themeleve në zbatim nuk kanë respektuar ato në projekt. Armimi i kolonave të katit përdhe, gjithashtu. Armimi është konsiderueshëm më i vogël dhe kjo diferencë e armaturës së hekurit në kolona ka ndikuar në uljen e aftësisë mbajtëse të strukturës së pallatit me 5 kate dhe akoma më shumë pas ndërtimit të katit të gjashtë dhe papafingos.
Në dokumentacionin e sekuestruar në funksion të hetimit mungon studimi inxhinierik-sizmologjik i sheshit të ndërtimit apo relacioni teknik mbi parametrat sizmikë që janë marrë parasysh nga projektuesi i pallatit. Ndonëse është propozuar që të merret dhe dëshmia e projektueses së objektit, kjo nuk është bërë. Ndërkohë, në raportin e hartuar nga Altea&Geostudio 2000, pjesë e dosjes hetimore, thuhet se, sheshi, ku ngrihej pallati, është me kushte të vështira gjeologjike-inxhinierike.
Duket se prokuroria është bazuar te konkluzioni i ekspertëve të ndërtimit, që deklarojnë se “pronarët e truallit kanë ndjekur procedurat e përcaktuara në ligj për t’u pajisur me leje ndërtimi, si për objektin 5 kate, dhe për shtesën e katit me mbulesë çatie; po në zbatim ka mangësi në dokumentacion.”
“Është absurde që asnjë nga prokurorët (Edmond Koloshi, Madrid Kullolli dhe Pali Deçolli), nuk e kundërshtoi vendimin për ta çuar më tej hetimin dhe për të mos vënë para përgjegjësisë penale persona të tjerë, përgjegjës për atë që ndodhi. Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë vepruar drejt, por këta jo”, – thotë Ajet Meçe.
Hetimet dhe dëshmitë
Sipas prokurorisë, investitor në ndërtimin e këtij pallati është Perikli Konomi, babai i ish-deputetit socialist, Edison Konomi, që ishte gjithashtu pronar në objekt. Investitori ka deklaruar se e ka blerë truallin nga shteti dhe, vetëm pasi kanë marrë lejen për godinë 5-katëshe, në vitin 1993 kanë nisur punimet.
Ndërkohë, në një njoftim të shpërndarë për median në nëntor të vitit 2020, deklarohet se në interes të hetimit janë administruar kopje të dokumenteve të gjendura pranë Arkivit të Këshillit të Rrethit Durrës dhe pranë ASHK, Durrës, lidhur me këtë objekt. Mes tyre ndër të tjera renditen edhe leja e ndërtimit pa vulë; planimetria e objektit pa vulë; kërkesa për shtesë kati dhe leje ndërtimi pa vulë, pa datë dhe numër protokolli, dokumente këto, mbi bazën e të cilave është zhveshur nga përgjegjësia investitori, procedurë e cila nuk ka ndodhur në rastet e tjera të godinave të shembura me pasojë viktima në njerëz.
Dritëhijet e kësaj ndërtese nuk kanë mundur të zbardhen as në dosjen e prokurorisë. “Në projektin e ndërtimit nuk del qartë, nëse kati i parë ka qenë i projektuar për dyqan dhe garazh, ndërsa, deri në ditën që ra tërmeti, ka shërbyer si lokal”, – shprehet prokuroria në relacionin mbi dokumentacionin e sekuestruar për pallatin. Megjithatë, në dosjen hetimore nuk figuron që të jetë thirrur për ta saktësuar këtë paqartësi projektuesja e pallatit, që në atë kohë ishte pjesë e Byrosë së Studim-Projektimit në Durrës.
Ndërkohë, leja e ndërtimit deklarohet se është marrë në emër të ndërtuesit Vasil Muka, që kishte marrë përsipër ndërtimin e objektit, por, pasi ka hapur bazamentin e tij, 2-3 muaj më pas, ai është larguar, pasi nuk është paguar për këtë volum pune nga investitori. “Dy-tre muaj më pas u tërhoqa, kur kuptova se Pero nuk i kishte paratë, as për hapjen e bazamentit dhe jo më të të gjithë pallatit, siç pretendonte. Asnjëherë nuk i mora ato pará”, – thotë Muka.
Pas tij rezulton se ndërtimi u bë nga ndërtuesi Zylfi Xhelilaj, por në dosje në një nga dëshmitë del emri i kompanisë 3D të vëllezërve Dako, që në atë kohë nuk ishte ende e regjistruar dhe ndaj mund të jetë përdorur para autoriteteve të kohës emri i një ndërtuesi të njohur zyrtarisht si subjekt në fushën e ndërtimeve. Kjo dëshmi ngelet këtu dhe në dosje nuk shkohet më tej për të treguar se është marrë në pyetje apo jo administratori i kësaj firme, që rezulton aktualisht të jetë vëllai i Vangjush Dakos, por në vitet ’90 firma ishte në emër të ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit.
Më pas nga Ushina u bë ndërtimi i katit shtesë dhe çatisë. Për ndërtimin e papafingos mbi katin e gjashtë, ku dy vëllezërit jetonin me familjet, ata vetë deklarojnë se leja e ndërtimit për shtesën ka qenë marrë për katin e gjashtë dhe çati të shfrytëzueshme dhe, pavarësisht se objekti nuk ka pasur akt-kolaudimi, ata kanë qenë të pajisur me vërtetim hipotekor (jo pronësie), gjë që nuk i kishte penguar as ta vendosnin si garanci bankare këtë pronë.
Sipas dëshmisë së Ajet Meçes, në vitin 1999-2000, në katin e parë në pjesën lindore janë bërë ndryshime. Janë hequr mure dhe është zgjeruar lokali dhe një pjesë e parkimit është bërë fabrikë akulli. Po kështu, edhe në katin e dytë, ku jetonte vajza tjetër e investitorit, Joana, ka pasur shtesë të apartamentit. Ndërkohë, pronarët e lokalit dhe një pjese të pallatit, djemtë e investitorit, Leonard dhe Edison Konomi, kanë mohuar që të kenë bërë ndërhyrje në strukturën e objektit, ndërsa në dosjen hetimore deklarohet se, nga këqyrja e fotove të publikuara në adresën e Instagram-it të lokalit Ice Club nuk vihen re kolona në ambientin e tij të brendshëm.
Pallati, ku humbën jetën 7 persona, rezultonte i regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Nga dokumentet rezulton se është regjistruar në vitin 1996 në Hipotekë. Sipas referencës, për këtë objekt mungonte leja e ndërtimit, plan-vendosja e miratuar dhe leja për shesh ndërtimi, ndërsa po për këtë pasuri për shkak të mungesës së aktit të kolaudimit të objektit dhe disa dokumenteve të tjera ishte vendosur kufizimi i pasurive, me urdhrin nr. 5702 datë 21.11.2012, për pasuritë e shtetasit Perikli Konomi.
Më 08.08.1999, nga Seksioni i Urbanistikës, Durrës është mbajtur një procesverbal mbi kontrollin e ushtruar në objektin: Perikli Konomi, shtesë kati me 6 (gjashtë) kate të pronarit Perikli Konomi, nga inxhinier Sabri Kalatsi, me anë të së cilit vërtetohet se objekti është ndërtuar si karabina, duke lejuar investitorin të kryejë veprimet e nevojshme ligjore për njohjen e tij.
Ai akuzon se drejtësia nuk po i sheh faktet me dritën e duhur.
“Prokuroria thotë se kati i 6 u ndërtua me leje, por jo, u ndërtua pa leje dhe vetëm pasi iu zgjodh djali deputet, e morën lejen. Deri vonë s’kemi pasur tapi. Kur donim të bënim rivlerësimin e pronës, apartamentit, pas vitit 2005 në mos gaboj, nuk e bënim dot, sepse na thoshin që pallati ishte me shtesë kati pa leje. Se çfarë kanë bërë pastaj, nuk e di. Një lojë e pistë. Kjo bashki, që dha të drejtën e shfrytëzimit, a ka përgjegjësi?!”, – pyet Ajet Meçe, ndërsa flet për realitete të objektit të shembur, që në dosjen hetimore “kundërshtohen” me dokumente të pavulosura dhe rrjedhimisht jo të ligjshme.
Avokatja e tij mbrojtëse, Rezarta Agolli, thotë se është në pritje të përfundimit të gjykimit që po zhvillohet për objektet e tjera, për të ndërmarrë hapat e duhur në mbrojtje të klientit të vet. Në memorien që ajo i pati drejtuar gjykatës, me kërkesën e kryerjes së hetimeve të tjera para marrjes së vendimit për kalimin e dosjes së tërmetit në gjykim pa pallatin e Konomëve, thuhet se “në mungesë të fondeve punimet ndalnin dhe rifillonin në objekt herë pas here, ndërsa ndërhyrjet në strukturë nuk kanë munguar.”
Viktimat dhe drejtësia e pamundur për të mbijetuarit
Në këtë tragjedi pronarët e pallatit humbën vajzën dhe motrën e tyre, Dolora Reçi, 49 vjeç bashkë me bashkëshortin, Eduart, 54 vjeç, dhe dy fëmijët e tyre, Kristi, 25 dhe Klaus Reçi, 21 vjeç. Edhe i mbijetuari Ajet Meçe humbi 3 anëtarë të familjes së tij në këtë objekt, bashkëshorten Rozeta Meçe, 59 vjeç, vajzën e tij, Diena Karanxha, 30 vjeç dhe mbesën, Esielën, vetëm 8 vjeç.
Natën e tragjedisë ato kishin shkuar për të fjetur nga babai, pasi tërmeti i parë i kishte trembur dhe shtëpia e të atit iu dukej vend më i sigurt për të përballuar çdo lloj tërmeti tjetër. Për shkak të lidhjeve të gjakut të ndërtuesit me familjen Reçi, që u shua nën këtë pallat, Ajet Meçe ka nisur i vetëm betejën për drejtësi për viktimat. Oficer policie në karrierë, ai e konsideron arbitrar pushimin e hetimeve.
“Kur mora vendimin e pushimit të çështjes, se kanë vdekur njerëzit përgjegjës për të, u ndjeva i pambrojtur. Shteti duhet të ketë indikatorë të tjerë. Shpirtrat e tyre dhe unë kërkojmë drejtësi. Mendoj, edhe pse e kam të paprovuar këtë, se është paguar për ta mbyllur çështjen. Nuk e di, si mundën prokurorët!”, – thotë ai.
Në kërkesën për informacion drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe në përgjigje të njërës prej pyetjeve se ku mund të gjejnë drejtësi të mbijetuarit e këtij pallati të përjashtuar nga gjykimi, organi i akuzës shprehet: “Trashëgimtarët e viktimave mund të paraqesin padi civile në Gjykatën e Shkallës së Parë, Durrës, në lidhje me shpërblimin e dëmit të shkaktuar.” Që do të thotë se përgjegjësia penale për shembjen e këtij objekti nuk ekziston më.
Për prokurorinë investitori dhe pronarët e pallatit nuk mbajnë përgjegjësi, pasi rezulton se, “pronarët e truallit kanë ndjekur procedurat e përcaktuara në ligj për t´u pajisur me Leje Ndërtimi, si për ndërtesën 5 kate, po ashtu edhe për shtesën e katit të gjashtë me mbulesë çatie, ndërsa nga hetimi rezultoi e provuar se shembja e këtij objekti ka ardhur si shkak i veprimeve apo mosveprimeve të konstruktorëve të pallatit dhe projektuesve e ndërtuesve të shtesës.Teksa dëgjon zëra fëmijësh në rrugë, Ajeti shkëputet nga rrëfimi i trishtuar dhe rikthehet duke pyetur: “Pse të mos jetë dhe mbesa ime mes tyre?! Jam i shokuar. Këtu nuk ka njerzillëk e as drejtësi.”
Ervina Garo, banore e Durrësit dhe gazetare lokale, thotë se çdo viktimë e asaj nate ka përgjegjës dhe kërkon drejtësi, pavarësisht se për këtë objekt kjo mund të mos ndodhë. “Çdo viktimë e asaj nate të tmerrshme ka përgjegjës. Megjithatë, fakti se për pallatin, ku humbi jetën Diena me vajzën dhe nënën e saj dhe 4 anëtarët e familjes Reçi, nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë person të vënë përpara ligjit deri tani, është një tregues që kjo nuk do të ndodhë as në të ardhmen”, – pohon e zhgënjyer Garo.
I pashpresë, Ajeti nuk e di, nëse duhet ta vazhdojë betejën me drejtësinë, por ai ka një mal me pyetje që do të çonin në zbardhjen e kësaj skeme korrupsioni me lejet e ndërtimit që përfundoi në tragjedi. “Kush e dha lejen e katit të 6? Të papafingos, kur ai vend është batak? Të mendosh që kishte dhe ngarkesën e depove të ujit. Të gjitha këto, bashkë me ndërhyrjet që janë bërë në strukturën e pallatit, cenuan strukturën. Në atë pallat gjithë kohën janë bërë punime”, – pohon Ajeti, i cili ka jetuar në atë pallat që nga viti 1995.
Ajet Meçe, i zhgënjyer nga mbyllja e çështjes me vendim të formës së prerë, thotë se për të do të ketë paqe, vetëm nëse vendoset drejtësia.
“Si nuk paska përgjegjësi, ai që investon në ndërtimin e pallatit?! Ai që ka investuar, është gjallë; bashkia, që ka dhënë lejen e shfrytëzimit, inxhinieri është gjallë. Të gjithë të çohen para drejtësisë. Qetësi për mua do të ketë, vetëm kur të shkoj pranë tyre, por doja të isha disi i qetë para tyre dhe vetëm vendosja e drejtësisë mund ta bëjë këtë. Por, po nuk pate pará dhe lidhje të fuqishme, këtu nuk ndodh asgjë”, –përfundon ai.
Avokatja Agolli, e cila përfaqëson Ajet Meçen, banesa e së cilës gjithashtu u dëmtua rëndë gjatë tërmetit, shprehet se, në rast se fajtorët e vërtetë për këtë tragjedi nuk dënohen, këto veprime mund të përsëriten në të ardhmen. “Nëse nuk shkon para drejtësisë çdo individ që ka vendosur një firmë dhe ka mbyllur një sy, atëherë ky rast rrezikon të përsëritet dhe të bëhet shkak për ardhjen e pasojave të tjera, të ngjashme”, – përfundon Agolli.