Shoqata patriotike “Çamëria” zgjodhi pasditen e së premtes kryetarin e ri të degës për qytetin e Durrësit.
Pas një periudhe pauze dhe mosfunksionimi të rregullt të degëve në rrethe, kryesia e kësaj shoqate ka ndërmarrë nismën për organizimin e aktiviteteve në kuadër të “Javës Çame” gjatë muajit qershor, procesin e anëtarësimeve dhe zgjedhjeve të kryetarëve të degëve të shoqatës në të gjithë vendin, si edhe të kryetarit të shoqatës.
Ndasitë që kanë shoqëruar anëtarësinë dhe drejtuesit e saj ndër vite reflektoheshin edhe në fjalën e të pranishmëve në takim.
Ndërkohë, dy kandidatët në garë Erion Çano dhe Arenco Beqiri theksuan gjatë fjalës së tyre se përkushtimi i tyre në drejtim të kauzës çame do të jetë maksimal.
Në procesin e votimit morën pjesë 160 anëtarë. Pas numërimit të votave, Erion Çano u shpall kryetari i ri i shoqatës “Çamëria” me 107 vota pro, 52 kundër dhe një të pavlefshme.
M.B.





