Data 27 shtator shënon zyrtarisht ditën e parë të shkollës për nxënësit e arsimit parauniversitar. Pas një viti të vështirë prej pandemisë, nxënësit e ciklit 9-vjeçar dhe të mesëm do të jenë në klasa për të ndjekur mësimin, por duke respektuar rigorozisht protokollet anti-Covid. Drejtoresha e ZVA Durrës, Jonida Matohiti, bën të ditur se janë marrë të gjitha masat për një proces të rregullt mësimor, ndërkohë që shkollat janë dezinfektuar të gjitha.

Sipas Matohitit, deri më tani janë vaksinuar 1300 mësues, ndërkohë që pjesa tjetër nuk janë vaksinuar, kryesisht për arsye shëndetësore.

Mësuesit e pavaksinuar do të duhet të paraqesin çdo javë pranë drejtorisë së shkollës testin PCR.

Dëmet e tërmetit të 26 nëntorit 2019 janë ende prezente në shumë shkolla të Durrësit, të cilat edhe këtë 27 shtator nuk do të hapin dyert për nxënësit dhe stafin pedagogjik. Për këtë arsye, ZVA Durrës, së bashku me drejtoritë e shkollave ka hartuar një grafik për mësimin me 4 turne që do të bëhet në shkollat pritëse.

2 ditë para nisjes së procesit mësimor, Matohiti ka një urim për të gjithë nxënësit dhe stafet mësimore të shkollave, çerdheve e kopshteve të bashkisë Durrës.

“Do t`i uroj të gjithë nxënësve, stafeve mësimore shumë suksese dhe shumë vullnet për t`ia dalë sa më mbanë dhe për të pasur sukses në rrugën e bukur por edhe të vështirë të dijes.”- tha Matohiti.