Seksioni i Hetimit të Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës dhe Forcat Operacionale në DVP Durrës kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Selekt”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Elton Maxhaku, 25 vjeç, banues në Durrës.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi shërbimet e Policisë kanë ndaluar në lagjen nr. 2, Durrës, mjetin tip taksi me të cilën ky shtetas e kishte prenotuar për të lëvizur. Gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e mjetit tip taksi, shërbimet e Policisë gjetën rreth 6 kg lëndë narkotike cannabis sativa e presuar dhe 1 armë zjarri (pushkë), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.





