Nga BUJAR QESJA

Dy vite jam i sigurtë, por duhet të ketë edhe më shumë kohë, që nuk jam parë e takuar me një nga miqtë e mi më të mëdhenj, më të veçantë dhe më të respektuar. Ai erdhi, siç vijnë mjaft shokë e miq të thekur. U ulëm dhe biseduam gjatë. Shprehëm keqardhje për largimin nga jeta të Avniut, shokut tonë aq të respektuar. Kemi qenë që të tre në klubin shumësportesh “Teuta”. Duar arti Avni Haxhia, është në kujtimin tonë.

Pëllumb Bulku të katër vajzat i ka në Itali, në kryeqendrën e veriut të këtij shteti të madh Milano. U bënë mbi 20 vite që janë atje. Kanë krijuar familje dhe jetojnë në lumturinë e tyre, të ndërtuar me përpjekje dhe sakrifica të mëdha. Pasi rregulloi dokumentat, Pëllumb Bulku së bashku me zonjën e tij, një shijakase e hershme Bajame Domi, shkojnë rregullisht në Milano, që tashmë është qyteti familjar i tyre. Atje kanë Natelinën, Betiolën, Normanën dhe Olcenën.

-Për të fundit, kishim dëshirë të ishte djalë, më tregon Pëllumb Bulku. Doja ti vija emrin e babait të paharruar Hysen Bulku. Por ja që ishte taksur përsëri të shtoheshim me vajzë. Dhe i vendosëm emrin Olcena, që të ndjenim të paktën erën e mallit për Babë Cenin.

Kam shkruar shumë për Pëllumb Bulkun. Kam treguar me hollësi jetën e tij. Por në këtë kohë, kur covidi na qëndron si “kuçedër” mbi krye, kisha dëshirë përsëri të vendosja emrin e tij në fokusin e lapsit tim. Si mall që gjatë se kisha parë, si respekt për miqësinë kristal që kemi dhe për të dhënë sinjale, që Pëllumb Bulku, së bashku me zonjën e tij Bajamen, me katër vajzat Natelinën, Betiolën, Normanën dhe Olcenën, me katër dhëndurrët, me nipat dhe mbesat, jetojnë, punojnë dhe shkollohen si mos më mirë.

I kam dashur dhe i dua këta njerëz të mirë, njerëz të urtë, që shkojnë aq mirë njëri me tjetrin, duke dhënë sinjale inkurajuese që shqiptarët edhe në tokë të huaj, janë plot sharm, të aftë për të qenë qytetarë europianë të dorës së parë. Mbiemri Bulku në Itali, qëndron po aq i denjë, sa edhe në dheun amë.

Pëllumb Bulku me 17 janar të vitit 2022, është në 75 vjetorin e lindjes. Një jetë e mbushur me ngjarje, me ulje dhe ngritje, por falë kurajos, me besimin e madh në Zot, duke çfrytëzuar plotësisht të gjitha mundësitë fizike dhe shpirtërore, ia ka dalë. Ia ka dalë edhe kur nuk e çuan në shkollë të lartë, e Babë Ceni u desh të bisedonte me kryeministrin e Shipërisë. Dhe takimi erdhi natyrshëm. Mbase ka qenë viti 1967.

Teksa Mehmet Shehu, vinte me mjetin e tij në rrugën që kalon në Xhafzotaj, vuri re që në mes të një fushe, kishte me dhjetra e dhjetra njerëz. Veshjet e tyre ishin qytetare dhe jo të tilla. U ngacmua nga kjo situatë dhe dha urdhër që makina të ndaloj. Ecën me këmbë drejt tyre dhe grumbulli i njerëzve hapet sikur çahet me thikë. Cen Bulku i djersitur, teksa po përpiqej të ndreqte thyerjen e rëndë të një ushtari, nuk e ka shumë mëndjen se cili ishte njeriu që kishte përballë. E mori për doktor dhe pa ngritur kryet i tha:

-Ju doktorët jeni mëndjemëdhenj dhe nuk jua mbushim mëndjen ne të vegjëlit.

Kryeministri iu drejtua ushtarit, duke i thënë “pse nuk ke shkuar në spitalin ushtarak”, e ushtari i ngrirë si një zog pëshpëriti:” ma tha komandanti që do të shkosh tek Cen Bulku”.

Pasi e ndjeu, se kishte të bënte me një doktor popullor të famshëm, Mehmet Shehu i dha shansin Hysen Bulkut, çfarë nderi kërkonte prej tij.

-Djalin, djalin, i cili është më i mirë nga unë, nuk ma çojnë të studioj për mjeksi. Ma bëj këtë nder, pasi më qan shpirti për ditë.

Dhe Pëllumb Bulku, nxitur nga ky shans që vjen një herë në jetë, u bë mjek dhe çfarë mjeku. Dihet fama i këtij të mënçuri të mjeksisë, i cili kurrë nuk çfrytëzoi emrin e madh të të jatit, po e ndërtoi madhështinë me punën, fuqinë e mëndjes dhe të zemrës, duke i shërbyer njerëzve në të gjitha shqetësimet.

Dhe kurioziteti vjen e ulët aq butë në rradhët e këtij shkrimi, saqë koinçidencat tek Pëllumb Bulku dhe familja e tij, sikur nuk sosen lehtë. Mjeksia u bë vello e bardhë, që mbuloi familjen Bulku. Pëllumbi është mjek. E lidhi jetën me një mjeke, siç është Bajame Domi. Vajza e parë Natelina mbaroi në Itali për mjeksi. Vajza e dytë Betiola përfundoi studimet e larta për farmaci. Dhe nuk ia tregoi familjes këtë. Punonte natë e ditë, me fëmijë të vegjël në rritje dhe një ditë u thotë prindërve: “ju pres në Itali për një surprizë”.

Dhe surprioza ishte ëndrra e saj, diplomimi për farmaciste. Normana përfundoi edhe kjo studimet për ekonomi dhe pas saj edhe Olcena doli nga dyert e universitetit italian të Milanos, me diplomën për ekonomi europiane. Një familje shqiptarësh në lëvizje, në prefeksion, me arsimin e lartë të përparuar europian, me dëshira dhe mundësi të mëdha për të ecur dhe vetëm për të ecur përpara. Çfarë pasionesh? Çfarë motivesh nxitëse dhe frymëzuese? Çfarë sfidash, që nuk u bëjnë nder vetëm atyre, por çdo shqiptari?

Dhe nuk mbaron këtu, dukuria interesante e familjes Bulku. Hysen Bulku mësoi zanatin e kockave 14 vjeç. Pëllumb Bulku, i biri filloi të rregulloi thyerjet në moshën 14 vjeç. Betiola, vajza e dytë e Pëllumbit filloi të japë “provime” praktike po për kockat, në moshën 14 vjeçare. Mjeksia, përzier me një ortopedi praktike dhe teorike, u bë zanati më i preferuar në familjet e Cen dhe Pëllumb Bulkut.

Jeta e Pëllumb Bulkut, ngjason me një minierë, që baromina e kohës nxjerr gjithnjë minerale të çmuara. Kudo që shkeli dhe punoi, që kur startoi në ditët e para të punës në UMB si normist, pasi mbaroi shkollën e mesme bujqësore, kur iu nështrua studimeve për mjeksi, kur veshi bluzën e bardhë teksa punoi në Mirditë, në Rrëshen, në Spaç, në Fan duke çarë dëborën e ndihmuar të sëmurët, derisa erdhi në Shijak, në Durrës në shkollën e fizkulturës, duke e mbyllur karrierën e gjatë, të vështirë por nderuese në klubin shumësportesh “Teuta”, ku qëndruam së bashku si vëllezër për shumë vite.

Pëllumb Bulku po i drejtohet 75 vjetorit të lindjes. Qetësia, urtësia, maturia, sakrifica, gadishmëria, përkushtimi, vullneti i pakonkuruar për të bërë mirë kanë mbetur të palëkundura. Flet me zë të ulët, por të qartë, ashtu siç ka qenë e qartë tërë jeta e tij. Në ndihmë dhe shërbim të njerëzve, në udhën e mahnitëse të hapur nga i madhi Babai i Shijakut, Cen Bulku.

Ka një merak ky Pëllumb Bulku, pasi në mos gaboj edhe skulptori Luan Berhami e ka bërë bocetin, për ti ngritur një përmëndore në qendër të qytetit Hysen Bulkut. Ashtu si ky burrë i madh dhe i mënçur e nderoi Shijakun sa ishte gjallë, ashtu edhe bashkqytetarët e tij, duhet ta përjetojnë këtë kujdes në bronx. Mund të dalë ndonjë, që nuk e miraton këtë qëllim? Retorika këtu është mëse e qartë.

Të gërrmosh në jetën e Pëllumb Bulkut, është njëlloj sikur të rrëzosh një mal për të parë se çfarë ka brënda. Janë me mijra pacientë të gjymtuar dhe janë kthyer në përditshmërinë e tyre aktive nga duart flori të Cen Bulkut, por edhe të shokut dhe mikut tim të rrallë Pëllumb Bulkut. Ai edhe më tej do të mbetet si një “Pëllumb i shkruar”, për të dërguar letrat e mirësisë, të shërimit dhe bekimit të këtij burri zotni nëpër njerëzit në nevojë.

Me zemrën e madhe sa trupi, Pëllumb Bulku ngrys tanimë ditët durrsake, së bashku me zonjën e tij të nderuar Bajamen. Puhiza e lehtë që vjen nga deti, përplaset në shpirtin e tyre, sikur kërkon t’ia përkund telat e arta të zemrës, të atyre zemrave që krahas fëmijve të tyre, rreh edhe për njerëzit me plagë që kërkojnë shërim.

Një kafe, një mall, një lot gëzimi apo hidhërimi për çka ndodhur, janë minuta që po kaloj me këtë bir të Sallmonës, të rritur në Shijak, duke iu falur Durrësit, me qendrën e gravitacionit shpirtëror tanimë në Milano të Italisë.

Pëllumb Bulku ngrys ditët e lumturisë dhe kënaqësisë së tij. Katër vajzat me fëmijët e tyre, qëndrojnë si një buqetë me lule, ku çifti Bulku në Durrës thith aromën e saj. Është ajo aromë që i mban gjallë, duke marrë hua nga Zoti oksigjenin e lumturisë. Ato janë së bashku. Itenerari Durrës – Milano, Milano –Durrës, është itenerari i jetës në këtë epilog inkadeshent, duke shndritur e zbukuruar shpirtin e tyre të dlirë.

Pëllumb Bulku mjek. Pëllumb Bulku mjeshtër i kockave. Pëllumb Bulku poet, duke krijuar me vargje jetën e merituar të Babë Cenit. Pëllumb Bulku hartues dhe përpilues i fjalëve të urta. Pëllumb Bulku njeriu i shpirtit dhe harmonisë.

Do të takohemi sërish Pëllumb Bulku! Dhe sërish do t’i gëzohemi kësaj jetës tonë, të thjeshtë, por interesante. Takimet me ty Pëllumb Bulku, gjithnjë të japin kënaqësi dhe optimizëm. Kështu, nuk ka më mirë!