“Një shtet që nuk ka fuqi të mbrojë popullin e vet!”
20 tregtarë të tregut të vogël industrial, në lagjen nr.12, në Durrës reaguan të revoltuar sot ndaj urdhrit për të ulur qepenët për një periudhë të pacaktuar.
Efektivë të Policisë Bashkiake u kërkuan sot të mbyllin dyqanet, sepse rikonstruksioni i pallatit ngjitur mund t’i rrezikojë gjatë ushtrimit të aktivitetit.
Njëra nga tregtaret tha për “DurrësLajm” se kjo është një poshtërsi që po u bëhet atyre. Njoftimi për mbylljen e aktivitetit, ata e kanë marrë të enjten e kaluar, ndërsa sot Policia Bashkiake u kërkoi të mbyllin mallin dhe të largohen.
“Prandaj po jetojnë vetëm pleqtë në Shqipëri, sepse pleqtë i duhen qeverisë dhe Edi Ramës dhe shumë qeveritarëve të ndyrë dhe hajdutë. Siç bëhet me 3 milionë banorë të vendit tim, nuk bëhet asgjëkundi. Poshtërsi, poshtërsi!”,- tha një nga tregtaret, ndërsa po mblidhte produktet që tregton prej shumë vitesh.
Tregtarë të tjerë thanë se po u heqin bukën e gojës, ndërsa shpresojnë se bashkia do të ndërhyjë për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi.
Sipas tyre, ata mund të ushtrojnë aktivitetin deri në orën 13.00, e më pas punëtorët e firmës të vazhdojnë punën.
“Problemi ynë është të vazhdojmë punën. Firma apo pronari kujt i takon ta zgjidhë bashkia, të marrë masa të sigurojë objektin, të na sigurojë edhe ne, që ne të vazhdojmë punën, t’u çojmë bukë familjeve tona”.
“Rikonstruksionin e pallatit ta zgjidhë pronarë me pronarë, ne jemi hallexhinj këtu, kemi dalë për çapën e bukës. Me ne nuk kanë punë të na bllokojnë punën, të na sjellin Policinë Bashkiake, që thotë fut mallin brenda. Ne kërkojmë të na hapin dyqanin, sepse nuk po i pengojmë. të na vënë një orar nga ora 09.00 deri në orën 13.00 të punojmë”,– thanë tregtarët.
Një ditë më parë, 20 tregtarët ishin në bashki për t’u interesuar për fatin e biznesit të tyre.
Rikonstruksioni i pallatit shumëkatësh ngjitur me tregun industrial po penalizon aktivitetin e tregtarëve.
Deri më tani atyre nuk u është ofruar asnjë ulje takse vjetore, për aq kohë sa do të mbajnë mbyllur aktivitetin tregtar.
M.B.





