Teuta do të përballet me Skëndërbeun ditën e nesërme në kuadër të javës së nëntë të Superiores.
Ekipi i Durrësit vjen pas humbjes 2-0 kundër Laçit ndeshjen e kaluar dhe kundër korçarëve do kërkojë rikthimin tek 3 pikët.
Në konferencën për shtyp para sfidës me Skëndërbeun, trajneri Edi Martini është shprehur se është një ndeshje e vështirë, duke kujtuar kështu se “ujqërit e dëborës” mundën Kukësin në ndeshjen e kaluar.
“Ishte detyrim kualifikimi në çerekfinale. Luajtëm me gjysmë ekipi. Pushimi na ka shërbyer për anën fizike, por kemi disa lojtarë të dëmtuar dhe na ka penguar në stërvitje.
Ekipet janë aty-aty, edhe pse Skënderbeu është poshtë në renditje. Mos të harrojmë që javën e fundit ata fituan me Kukësin. Një lojtar të mungojë është shumë, jo më pesë.
Është ndeshje e fortë me Skënderbeun. Mund të fitosh, por goleada nuk mund të ketë. Synimi është të fitojmë dhe do e kërkojmë nga fillimi në fund këtë gjë. E kam thënë edhe më parë që po kalojmë një tranzicion. Ekip do ringrihet fizikisht dhe do jemi në rrugën e duhur.
Normalisht e kam formacionin në kokë, pasi mund të ketë ndonjë ndryshim të vogël.
Kampionati sivjet është njëlloj si vjet. Vjet ishte Vllaznia ndërsa sivjet po ndodh me Tiranën. Normal do ketë luhatje. Gjithsesi unë shpresoj që të bëjmë kampionatin e vjetshëm”, deklaroi Martini.