Edi Martini dhe Sherif Kallaku përcjellin optimizëm te Teuta para ndeshjes ndaj Partizanit, që do t’i japë “start” fazës së dytë të kampionatit.
Si trajneri, ashtu edhe “fantazisti i durrsakëve”, nënvizuan se ndaj të kuqëve kampionët e Shqipërisë do të zbresin në fushë vetëm për tre pikët dhe pavarësisht ecurisë së javëve të fundit, nuk do të kënaqeshin kurrsesi me një barazim.
Edi Martini – “Jemi në analizë ndeshje pas ndeshje. Ka pasur disa gjëra që nuk kanë shkuar ashtu siç duhet, për shumë arsye. Por, nuk është momenti të qahemi, është momenti të bëhemi gati për Partizanin. Presim që çdo ndeshje ekipi të bëjë lojën e vet, mendoj se do e arrijmë, këtë javë presim të marrim 3 pikëshin. Koumbemba? Ka pasur probleme dhe nuk është stërvitur me ekipin. Kujt i druhem te Partizani? E respektoj se është emër i madh, kur Partizani ndodhet në ujra të turbullta, bëhet ekip më i rrezikshëm. Kampionati do të jetë njësoj si i vjetshmi”.
Sherif Kallaku – “Unë jam mësuar të marr shumë përgjegjësi, jam munduar t’i rregulloj sa më shumë paraqitjet e mia. Tani se jam gradualisht në rritje. Ndjej shumë keqardhje për pikët e lëna me Skënderbeun. Kemi luajtur mirë, por nuk patëm fat, u ndëshkuam nga hiçi. Me një gol diferencë ndeshja nuk është kurrë e fituar, na ndodhi edhe me Kastriotin, duhet të shënojmë golin e dytë. Partizani? Kam shumë besim se nesër do arrijmë të marrim 3 pikë. Mendoj se është ndeshja e duhur për të marrë 3 pikët, unë do isha i zhgënjyer po të dilte ndeshja barazim”.