Teuta do të përballet me Kukësin në kuadër të javës së 13-të të Abissnet Superiores, një sfidë e cila do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, ora 16:45.
Djemtë e detit vijnë pas fitores minimale ndaj Dinamos dhe ndaj verilindorëve do kërkojnë të vazhdojnë ecurinë e fitoreve për t’iu afruar më shumë vendeve të para në tabelën e klasifikimit.
Në konferencën për shtyp, trajneri Renato Arapi është shprehur për sfidën kundër Kukësit se është një ndeshje e vështirë për të cilën do japin maksimunin për të dalë më 3 pikë nga kjo përballje.
“Sigurisht që klima ka ndryshuar goxha, pasi gjithmonë pas fitoreve rritet besimi, rritet entuziazmi dhe kjo është diçka pozitive jo vetëm për ne, por për çdo ekip.
Sigurisht që presim një ndeshje shumë të vështirë, Kukësi ka treguar që këtë kampionat ka lojtarë goxha cilësorë dhe bëjnë shumë mirë në fazën e sulmit. Gjithsesi janë të gabueshëm në pjesën prapa dhe kjo është diçka e mirë për ne.
Deri tani jam shumë i kënaqur, ekipi po mundohet t’i automatizojë ato që u kemi kërkuar. Shpresojmë që edhe në vazhdim të bëjmë më mirë në këtë drejtim.
E thashë edhe më parë dhe nuk dua të përmend emra individualë, ata kanë cilësi brenda. Ata luajnë mirë në organizimin e lojës. Gjithsesi me mënyrën e tyre të lojës edhe rrezikojnë goxha mbrapa.
Ndeshjet e mbetura? Do mundohemi t’i marrim maksimumin çdo ndeshjeje deri në fund. Shpresoj që t’ia arrijmë duke nisur nga dueli më Kukësin.
Shqetësimi i vetëm është Jackson, i cili mungon. E kemi treguar edhe në ndeshje të tjera, që çdo lojtar që futet paraqitet mirë. Kemi një ekip të kompletuar për ta përballuar siç duhet ndeshjen”, u shpreh tekniku i durrsakëve.