Teuta dhe Kukësi ndajnë nga një pikë në “Elbasan Arena”, aty ku u zhvillua një lojë me ritëm dhe raste vetëm në pjesën e parë, pasi 45-minutëshi i dytë u karakterizua nga frika për të mos pësuar dhe ndalesa të shumta loje.
Në pjesën e parë verilindorët shënuan dy herë, por në të dy rastet golat u anuluan nga VAR-i për pozicion jashtë loje, ndërsa golashënuesi kryesor Edi Basa humbi një shans të artë shënimi, pasi me portën e boshatisur, gjeti shtyllën.
Nga ana tjetër edhe Teuta kërcënoi disa herë në pjesën e parë, por pa ia dalë të dërgojë topin në rrjetën e Tafas, ndërsa 45-minutëshi i dytë nuk pati asgjë për t’u shënuar.
Me barazimin, Kukësi shkëputet i vetëm në vendin e dytë, me 24 pikë, një më shumë se Vllaznia, ndërsa Teuta barazon Laçin në vendin e katërt.