Arlen Hasanaj, 34-vjeçari i arrestuar si autor i dyshuar i vendosjes së tritolit në banesën e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, rezulton me një djegie në dorën e djathtë.
“DurrësLajm” mëson nga burime policore, se dyshimet janë që Hasanaj është djegur gjatë ndezjes së fitilit në momentin para se të hidhte kallëpin e tritolit në portën e jashtme të oborrit të Dukës mbrëmjen e 24 janarit në Durrës.
Një ekspert i mjekësisë ligjore nga Tirana ka mbërritur në dhomat e paraburgimit ku ka marrë analizat nëse ka gjurmë baruti në dorën e djathtë të Hasanajt. Prokuroria e rrethit mësohet se ka kërkuar arrest me burg për 34-vjeçarin, dhe vendimi i ekspertit mjeko-ligjor është prova kryesore e organit të akuzës për ta vënë Hasanajn në bankën e të akuzuarve.
Mbrojtja e 34-vjeçarit sipërmarës që nuk ka pranuar akuzat, ka vënë para grupit hetimor pamjet filmike ku 40 minuta para shpërthimit Hasanaj ka qenë në një njësi tregtare. Hasanaj ka thënë para policisë se ka qenë i shoqëruar nga një femër për mëse tri orë, por dëshmia e vajzës në fjalë ka rënë ndesh me deklaratën e 34-vjeçarit. Në dëshminë e dhënë, vajza ka thënë se kanë qëndruar vetëm pak minuta në shoqërinë e njëri-tjetrit.
Avokati mbrojtës Ilia Ilia deklaron se pala mbrojtëse disponon pamjet filmike, kur shtetasi Arlen Hasanaj ka hyrë dhe ka dalë nga qendra tregtare, si dhe kuponat tatimorë për blerjet që ai ka regjistruar në këtë qendër.
“Shtetasi në fjalë ka hyrë në orën 20:30 pranë ‘Megatek’-ut dhe ka dalë tek arka për të bërë pagesën në orën 21:37 minuta. Në orën 21:44 minuta ai ka dalë nga korpusi i ‘Megatek-ut.
Duke llogaritur dhe kohën e vendosjes së gjërave të tjera në automjetin e tij, duhet të kuptohet vetë se sa lidhje mund të ketë ai me ngjarjen e ndodhur, e cila dihet tashmë që është zyrtarizuar në orën 22:04 minuta“, thotë ndër të tjera Ilia.
Ditën e nesërme pritet që 34-vjeçari Arlen Hasanaj të dalë përpara Gjykatës së Durrësit për t’u njohur me masën e sigurisë personale.
Kujtojmë se mbi të rëndojnë dy akuza për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.





