Rotary Club Durrës vijon misionin e tij fisnik. Në një mbrëmje speciale të organizuar të dielën në “2 Kitarat SteakHouse” 10 fëmijëve të talentuar të Durrësit iu dhuruan vegla muzikore për të mundësuar kështu që pasionin e tyre për muzikën dhe botën e artit ta zhvillojnë edhe më tej.

Presidenti i Rotary Club Durrës, Adil Beqiraj, një i apasionuar i hershëm pas kitarës, tha gjatë fjalës së rastit se nisma në fjalë u vjen në ndihmë artistëve të vegjël të talentuar të qytetit bregdetar.

Drejtori i QKF Durrës, Avni Çuni, falenderoi anëtarët e klubit rotarian për këtë iniciativë dhe njëkohësisht i dhuroi një certifikatë mirënjohjeje, në shenjë nderimi për kontributin e dhënë prej tyre në mbështetje të këtyre fëmijëve, që sapo kanë nisur rrugën e bukur të artit.

Të pranishëm në këtë mbrëmje speciale ishin dy drejtues shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë presidenti i Rotary Club për këtë vit Shekhar Mehta dhe guvernatori Radu Popescu. Gjatë fjalës së rastit, të dy këto personalitete vunë theksin në rëndësinë që merr tashmë bashkimi i klubeve rotariane në Shqipëri dhe Kosovë në një distrikt të vetëm.

Sipas presidentit Mehta, jo zyrtarisht ky bashkim është realizuar tashmë, mbetet vetëm firma për zyrtarizimin e tij.

Megjithëse ishte vetëm për një vizitë mjaft të shkurtër në vendin tonë, presidenti Mehta u shpreh i bindur se do të vijë sërish në Shqipëri, sepse gjithçka që kishte parë gjatë këtyre ditëve i kishte shtuar kureshtjen për të qëndruar më gjatë këtu.

Mehta vlerësoi me nota mjaft pozitive performacën ndër vite të Rotary Club Durrës dhe shprehu bindjen se përgjatë presidencës një vjeçare të Adil Beqirajt, arritjet do të jenë edhe më të mëdha.

Në fund të mbrëmjes, grupi i valleve të QKF Durrës dhanë për të pranishmit një koncert me këngë e valle popullore të trevave shqiptare, por nuk mungoi edhe interpretimi i një kërcimi indian.

M.B.