Aktori i famshëm, Brad Pitt ka paditur ish-bashkëshorten, Angelina Jolie pasi ylli i Hollywood i shiti aksionet e saj të kantinës së verës në Francë një oligarku rus.

Kantina Miraval ndodhet në fshatin Corrrens dhe u ble nga ish-çifti i famshëm për rreth 25 milionë euro në vitin 2008.

Sipas një padie të ngritur nga Brad Pitt, Jolie ia shiti aksionet e saj kompanisë Chateau Miraval SA, që prodhon pijesh alkoolike me bazë në Luksemburg, me pronar biznesmenin Yuri Shefler, pa dijeninë e ish-bashkëshortit të saj.

“Ajo synoi që ti shkaktonte dëme financiare, pasi ai derdhi para e djersë në biznes”, pretenduan avokatët e aktorit.

Të dy kishin rënë dakord që të mos i shisnin kurrë aksionet e tyre përkatëse pa pëlqimin e palës tjetër, thuhet në padi.

“Kantina e verës ishte e rëndësishme për Brad Pitt, pasi Miraval nën drejtimin e tij u bë një histori suksesi ndërkombëtar me shumë miliona dollarë fitime dhe është një nga prodhuesit më të vlerësuar të verës në botë”, shkruhet në dokumentet ligjore.

“Ajo shiti aksionet e saj me dijeninë dhe qëllimin që Shefler dhe bashkëpunëtorët e tij të kontrollonin biznesin, të cilit Pitt i ishte përkushtuar dhe ta minonin investimin e tij në Miraval,” pretendohet në padi.

Sipas dokumenteve ligjore, Pitt kontribuoi me 60% të çmimit të blerjes së pasurisë, ndërsa Jolie pagoi 40% të shumës.

Avokatët e aktorit pretendojnë se Jolie nuk është përfshirë në zhvillimin e këtij biznesi, edhe pse ka përfituar të ardhura nga suksesi i tij.

Aktorja thuhet se e informoi ish-bashkëshortin për vendimin e saj për t’ia shitur Shefler aksionet në janar 2021, duke thënë se kishte marrë një “vendim të dhimbshëm”.

Jolie paraqiti kërkesën për divorc nga Brad Pitt në vitin 2016. Ish-çifti kanë gjashtë fëmijë së bashku, Maddox, Pax dhe Zahara, të cilët janë birësuar, si dhe Shiloh dhe binjakët Vivienne dhe Knox.