Teuta pritet t’i japë fund rrugëtimit sa në një stadium në tjetrin, duke luajtur si pritës.
Që prej korrikut të vitit të kaluar, për shkak të rinovimit të total të tapetit të stadiumit “Niko Dovana”, kampionët në fuqi të Shqipërisë kanë luajtur më shumë si pritës në Elbasan, Rrogozhinë dhe Shkodër.
Natyrisht që kjo ka pasur jo pak efekt, me skuadrën që nuk e ka ndierë asnjëherë zhvillimin e ndeshjeve në shtëpi. Brenda këtij muaji pritet që Teuta të kthehet përfundimisht në fushën e vet, pasi tapeti ka marrë formën e plotë dhe është gati për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare.
Specialistët e barit kanë inspektuar disa herë gjendjen e fushës dhe mësohet se është dhënë drita jeshile që pas 3-4 javësh të luhet.Për herë të fundit në Durrës është luajtur ndeshja e vlefshme për Ligën e Konferencës kundër ekipit nga Andorra, Inter D’Esklades.