Pesë punonjëse të një kompanie në Durrës janë helmuar në vendin e punës. Mësohet se ngjarja është regjistruar këtë mesditë në një firmë në autostradën Durrës-Tiranë.
Punonjëset kanë mbërritur në urgjencën e spitalit të Durrësit ku po marrin trajtim pasi kanë pasur gjendje të fikëti, këputje e ndjesi të vjellash.
Policia informon paraprakisht se ato ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Durrës/Informacion paraprak
Mesditën e sotme janë paraqitur në spitalin e Durrësit, shtetaset O. A., 41 vjeçe, A. R., 26 vjeçe, M. Xh., 30 vjeçe, A. Gj., 35 vjeçe dhe J. K., 38 vjeçe, të cilat dyshohet se janë helmuar në ambientet e punës, në një firmë në autostradën Durrës-Tiranë. Aktualisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.