Banorët e pallatit “Gora”, në lagjen nr.12 të Durrësit kanë organizuar sot protestën e radhës para bashkisë. 2 vite e gjysëm pas tërmetit, banorët ende nuk dinë cili do të jetë fati i godinës 12 katëshe. Megjithëse në fillim pallati u vlerësua në akt-ekspertizën e Institutit të Ndërtimit me dëmtime DS3, akt-ekspertiza e një viti më vonë e çoi shkallën e dëmit në DS4. Banorët kanë marrë edhe grantin e rikonstruksionit të banesës, në vlerën 500.000 lekë të reja, por ende nuk dinë asgjë për fatin e pallatit të tyre.

Kemi ndërruar deri tani 3 shtëpi me qira dhe nuk dimë akoma ç’do të bëhet me pallatin tonë“,- thotë një nga banorët, i cili tregon dhe dy akt-ekspertizat që i janë bërë pallatit, të dyja me përfundime të ndryshme.

“Çfarë fitimi ka shteti që na ka dhënë grantin 5 milionë lekë, na jep edhe bonusin e qirasë dhe na lë jashtë shtëpive tona”,– deklaron një qytetare.

Banorët hedhin akuza edhe për një aferë korruptive, sepse sipas tyre, nuk ka sesi shpjegohet ndryshe zvarritja e daljes së një përgjigjeje konkrete se çfarë do të bëhet me pallatin.

“Për tekat e dikujt ne rrimë përjashta. Është diçka këtu, është korrupsion, sepse rreth e rrotull pallatit tonë godinat e tjera po riparohen, vetëm i njoni rri kështu”,– tha një banore.

Apeli i tyre drejtuar bashkisë është një i vetëm.

“Duam t’i kujtojmë bashkisë që nuk jemi thjesht qytetarë vetëm për të na marrë votën, por kërkojmë të drejtën tonë për të marrë një përgjigje”,- tha njëri nga banorët.

“Bashkia të na sjellë sa më shpejt dikë që të bëjë rivlerësim të pallatit”,– apelon një tjetër qytetare.

Që nga 26 nëntori 2019, pallati 12-katësh pranë tregut industrial është i pabanueshëm. Megjithëse banorët kanë marrë grantin e dëmshpërblimit, ata nuk kanë kryer punimet në apartamentet përkatëse, sepse godinës i është ndërprerë furnizimi me ujë dhe energji elektrike.  

M.B.