Edicioni i 13 i panairit Work&Study u ndal sot në Durrës. Me qindra të rinj, kryesisht maturantë, vizituan stendat e panairit, ku universitetet publike dhe private të vendit tonë i njihnin nga afër studentët e ardhshëm me programet e studimit dhe kurrikulat arsimore.

Në ndryshim nga edicionet e viteve të kaluara, risia e këtij viti ishte pjesëmarrja e Zyrave të Punës dhe Zyrave të Karrierës, ku punësimi dhe ofertat e studimit mbeten ndër prioritetet kryesore.

Në këtë panair, një stendë të veçantë kishte dhe Drejtoria Rajonale e Formimit Profesional Durrës, ku vihej re një interesim i madh i të rinjve për të ndjekur kurset profesionale që ofron kjo qendër. Drejtori i saj, Agim Karaj tregon se vetëm gjatë paradites më shumë se 100 të rinj janë regjistruar në kurset, që ofron kjo qendër.

“Ne vijmë në këtë panair me prodhimet tona, duke u prezantuar kursantëve të rinj çfarë ofrojmë ne në qendrën tonë. Në qendrën tonë kemi rreth 40 kurse të ndryshme profesionale, kemi 22 kabinete moderne dhe bashkëkohore. Sot kemi regjistruar rreth 100 aplikantë, pavioni jonë është goxha i preferuar dhe i vizituar nga studentët dhe qytetarët durrsakë”,- tha Karaj për “DurrësLajm”.   

Krahas të rinjve, kjo qendër u vjen shumë në ndihmë personave të papunë, që ende nuk kanë një profesion. Ata mund të ndjekin falas njërin prej 40 kurseve profesionale dhe në përfundim të tyre përvetësojnë një profesion dhe pse jo edhe një vend pune në bizneset private, ku ata kryejnë praktikën mësimore.

Edicioni i 13-të i panairit Work&Study do të vazhdojë të qëndrojë i hapur në Durrës deri në orën 19.00, ndërsa nesër ai do të zhvendoset drejt Tiranës.

M.B.