Këshilli i Qarkut Durrës do të investojë 433 milionë lekë për rikonstruksionin e dy akseve rrugore në njësinë administrative Rrashbull.
Bëhet fjalë për akset rrugore “Valbona” dhe pranë “Kodrës së Kuajve”.
Kompania që do të fitojë tenderin duhet të përmbyllë punimet brenda 3 muajsh.
Ndërhyrja për rikonstruksionin e këtyre akseve vjen në një kohë kur gjendja e tyre është tejet e amortizuar. Në dokumentet e tenderit, Këshilli i Qarkut nënvizon se rikonstruksioni i këtyre dy akseve “i jep shumë prioritet përmirësimit të jetesës së banorëve të këtyre zonave me një infrastrukturë bashkëkohore”.
“Objekti aktualisht paraqitet në një gjendje jo të mirë, ku gjatë periudhës që bien shira kalimi vështirësohet së tepërmi, pasi rrugët janë vetëm në trasenë ekzistuese dhe thuajse asnjëherë nuk janë bërë ndërhyrje për rikonstruksionin e tyre. Pra në këto rrugë mungojnë plotësisht shtresat dhe elementet e infrastrukturës rrugore. Gjithashtu, sistemi i largimit të ujërave mungon plotësisht, pasi ato rrjedhin në trup të rrugës në formë sipërfaqësore sipas pjerrësive natyrale të vetë rrugëve”,- shkruhet në dokumentet e tenderit, ndërkohë që edhe fotot ilustruese nga dy rrugët në fjalë tregojnë gjendjen e amortizuar të tyre.







