Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mes dy të rinjve në Fushë-Krujë, ku një 22-vjeçar ka rrëmbyer me makinë një 20-vjeçar, e ka çuar në pyll dhe e ka dhunuar. Më pas i ka marrë dhe telefonin që kishte në përdorim, të cilin policia ia gjeti autorit gjatë arrestimit të tij.
Policia e Durrësit informon sot se u kap dhe u vu në pranga 22-vjeçari nga Fushë-Kruja, ndërsa motivet e kësaj ngjarjeje nuk janë zbuluar ende.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, më marrjen e njoftimit se një 20-vjeçar ishte marrë me forcë, në automjet, nga një person ende i paidentifikuar, organizuan menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e këtij personi.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Krasta” u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit D. H., 22 vjeç, banues në Fushë-Krujë. Ky shtetas kishte marrë në automjetin e tij tip Audi, 20-vjeçarin B. A., banues në Fushë-Krujë, duke e çuar në një vend të pyllëzuar në Krastë, të cilin, më pas e ka goditur me sende të forta në pjesë të ndryshme të trupit. Shtetasi D. H. i ka marrë shtetasit B. A. edhe telefonin që ky i fundit kishte në përdorim.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në automjetin tip Audi, që drejtohej nga shtetasi D. H., u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, telefoni, që i përkiste shtetasit B. A”, njofton policia.
Nën drejtimin e Prokurorisë po punohet për zbardhjen e plotë të motivit të kësaj ngjarjeje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe Vjedhja me dhunë“.





