Ditën e shtunë, demokratët e Durrësit do t’i drejtohen që në orën 08.00 të mëngjesit kutive të votimit për të zgjedhur kreun e ri të degës.
Mes tre kandidatëve në garë, Osman Stafa, Ardian Muka dhe Igli Cara, anëtarët e PD-së janë të ftuar që përmes parimit “një anëtar, një votë” të zgjedhin kreun e ardhshëm të degës lokale.
Pas përfshirjes në garën zgjedhore të 6 marsit për bashkinë e Durrësit, Ardian Muka, garon sërish, por siç shprehet edhe vetë “garat brenda familjes janë më të bukurat” .
Ndërsa i fton demokratët të marrin pjesë masivisht në votimin e së shtunës, Muka e sheh këtë proces si një garë të fortë dhe luajale, pasi të tre kandidaturat janë figura të njohura në rradhët e të djathtës durrsake.
Sipas Mukës, procesi i së shtunës duhet të shërbejë si një moment bashkimi i demokratëve, pasi edhe ata anëtarë të PD që më parë rreshtoheshin krah Bashës janë bërë tashmë pjesë e procesit të zgjedhjes së kryetarëve të grupseksioneve dhe madje janë zgjedhur drejtues të tyre.
“Ky është një moment shumë i mirë bashkimi, pasi demokratët do të votojnë për kreun e degës dhe dy ditë më pas do të votojnë për kryesinë e PD Durrës dhe delegatët e Kuvendit të 30 prillit. Është një rast i mirë, ku edhe pjesa që unë e konsideroj se kishte humbur rrugën, dhe që vota e 6 marsit e tregoi më së miri se kush ishte në rrugën e gabuar, të bëhet pjesë e këtij procesi”,- tha Muka në një intervistë për “DurrësLajm”.
“Portat e PD-së kanë qenë të hapura dhe do të vazhdojnë të jenë të hapura”,- tha më tej ai.
Sipas tij, një nga pikat kryesore të programit, me të cilin kërkon votën e demokratëve durrsakë është zgjerimi i PD-së me gra, vajza dhe të rinj.
“Besoj shumë tek zonjat, të cilat duhet të kenë një kapitull të veçantë në PD, sikurse rinia që është një tjetër instrument jashtëzakonisht domethënës dhe shumë i fortë. Zëri i tyre dhe mesazhet që ata përcjellin, mendësia që ata kanë, duhet të bëhen udhërrëfyes për atë çfarë do të ishte PD-ja e re”,- tha kandidati Muka.
Të plotë intervistën me kandidatin për kreun e PD-së mund ta ndiqni në videon e mëposhtme.
M.B.