Futbollisti legjendar, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana ka folur për sfidat e jetës së tij.

Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Loriku dhe familja e tij u larguan për të shkuar në Lausanne të Zvicrës, ku jetuan për nëntë vite.

Duke folur në tch ai tha se në fillim ka qenë një nga periudhat më ekstreme sepse duhet të nisnin gjithçka nga fillimi.

Në atë kohë ai ka qenë 7 vjeç dhe pjesa më e vështirë ka qenë se duhej të linte një pjesë të familjes, shoqërinë dhe gjithçka për t’u larguar për arsye sigurie në një vend ku duhet të ndërtonte gjithçka nga zero.

Ne që vijmë nga Kosova kemi patur emigracionin shpeshherë të detyrueshëm për shkak të gjendjes në të cilën kemi qenë në trojet tona, qoftë në Kosovë, qoftë në Maqedoninë e Veriut.

E kemi provuar në vitet ’70, ’80 dhe pastaj në momente më të vështira siç ishte fundi i viteve ’90 kur jam larguar unë me familjen time”, tha Loriku.

Ish-futbollisti i njohur shtoi se e mban mend shumë mirë ikjen dhe sapo kishte mbaruar klasën e parë kur i është dashur të largohet nga Kosova.

“Asokohe sapo kisha mbaruar klasën e parë dhe kam qenë rreth 7 vjeç. Pastaj ne ishim në një pjesë tjetër të historisë sonë. Kemi patur mundësinë si shumë komunitete të tjera shqiptare që ishin të shpërngulura në Zvicër ku nuk na kanë braktisur dhe gjetëm një mbështetje ku mundëm të rifillonim jetën nga e para.

Nuk kishim shumë njohje dhe informacion se çfarë ndodh në Shqipëri dhe pastaj duke mësuar realitetin që ka kaluar Shqipëria, tranzicionin e viteve ’90…

Kanë qenë kapituj të historisë që kanë qenë ekstreme, deri tek lufta e Kosovës, apo lufta civile në Shqipëri. Pastaj ti rrëfen historinë tënde dhe sheh si kanë shkuar gjërat pas 20-30 vitesh dhe shumë gjëra kanë shkuar për mirë, të tjera kanë mbetur në vështirësi”, tha Lorik Cana.