Në kuadër të përmbylljes së Javës së Turizmit, bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës dhe Universitetin e Arteve, do të organizojnë ditën e nesërme një konkurs me kala dhe skulptura rëre, i cili fillon në orën 10:00 në plazhin e Durrësit, në Plepa.

Lajmin e ka bërë të ditur kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, në një postim në rrjetet sociale, ku shkruan se “të gjithë studentët kanë mundësi që të shpalosin idetë e tyre duke krijuar skulptura me rërë”.

Postimi i plotë:

Në përmbyllje të Javës së Turizmit, në plazhin e Durrësit, në Plepa, të dielën më 8 Maj, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës dhe Universitetin e Arteve, organizojmë një konkurs të veçantë me kala dhe skulptura rëre.

Të gjithë studentët kanë mundësi që të shpalosin idetë e tyre duke krijuar skulptura me rërë ndërkohë që ftojmë të gjithë qytetarët dhe pushuesit të shijojnë një ekspozitë shumë të veçantë me këto krijime artistike në bregdetin e Durrësit.