Rreth dy vite pas ndërhyrjes që u bë në Velierë për përforcimin e strukturës së saj, mëngjesin e sotëm ishte hequr “këmba” mbajtëse. Pamjet e marra nga operatori i “DurrësLajm”, Sokrat Toçi e dëshmojnë këtë fakt.

Ajo u vendos në vitin 2020, menjëherë pasi bashkia Durrës akordoi një fond shtesë prej rreth 850 milionë lekë të vjetra për ndërhyrje ekstra, të paparashikuara më parë në projekt.

“Këmba” mbështetëse u vendos në mes të mbikalimit dhe shpeshherë gjatë këtyre viteve, është nënvizuar fakti se ajo mund të kthehej në burim aksidenti për drejtuesit e mjeteve.

Përfundimi i projektit “Veliera” është ende larg, pasi veshja e strukturës nuk ka nisur akoma.

Në muajin nëntor, bashkia Durrës zhvilloi tenderin e fundit për fazën e katërt të këtij projekti.

Veshja e “Velierës” do të kushtojë 1.8 miliardë lekë të vjetra pa TVSH ose 2.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Durrsakëve do t’u duhet të presin edhe një vit tjetër për të admiruar “Velierën” në formën e saj të plotë, pasi punimet e fazës së katërt të projektit janë parashikuar të zgjasin një vit kalendarik.

Përveç faktit se është një nga investimet publike me vlerën më të lartë, “Veliera” është njëherazi projekti më i zvarritur në kohë. E nisur në fund të vitit 2016, ajo pritet të marrë formën e saj përfundimtare vitin e ardhshëm, ç’ka nënkupton 7 vite për t’u ndërtuar. Proceset gjyqësore të Shoqërisë Civile, por edhe shtesa e kontratës për shkak të punimeve të pa parashikuara në projektin fillestar, bënë që realizimi i projektit “Veliera” të kërkonte shumë më tepër kohë deri në finalizim.

M.B.