Partia Socialiste Durrës ka nisur procesin e propozimit të kandidaturave për kreun e degës së kësaj force politike.

Kongresi i PS-së i datës 9 prill ndërpreu mandatin e 61 kryetarëve aktual të partisë dhe njëkohësisht i hapi rrugën nisjes së procesit për zgjedhjet në strukturat drejtuese të degëve.

Në degën e Durrësit janë zhvilluar deri tani mbledhjet me strukturat e rajoneve të qytetit, ndërsa në ditët në vijim do të vijojnë takimet me kryetarët dhe bashkëkryetarët e njësive administrative.

“DurrësLajm” mëson se nga propozimet e bëra nuk ka asnjë kandidaturë surprizë, sepse nga anëtarësia është propozuar vetëm emri i Luan Zazës, i cili prej dy mandatesh drejton degën lokale.

Sipas burimeve nga dega lokale mësojmë se brenda disa ditësh mbyllet propozimi i kandidaturave dhe pritet të dalë një pasqyrë e saktë mbi procesin.

Duket se Zaza do të shkojë drejt një mandati të tretë të sigurt, pasi ka mbështetje në pjesën dërrmuese të strukturave të partisë.

Pritet të mësohet nëse ai do të garojë i vetëm në zgjedhjet për kryetar, apo anëtarësia do të propozojë edhe emra të tjerë deri në përmbylljen e propozimeve të kandidaturave.

Zgjedhjet e fundit në PS Durrës janë mbajtur në janar 2020, kur Luan Zaza kandidoi i vetëm, pasi vetëm dy ditë para zgjedhjeve, kandidati tjetër Ardit Kërtusha u tërhoq nga gara dhe ngriti akuza për manipulim dhe ndërhyrje në procesin e votimit.

M.B.