Ngjarja e regjistruar vetëm pak minuta më parë në lagjen nr.1 të qytetit të Durrësit është e mbuluar nga një terr informativ.

Fillimisht u raportua se një person kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të një automjeti, ndërsa minutat që pasuan kanë sjellë një tjetër version për ngjarjen.

Sipas informacioneve që vijnë nga vendi i ngjarjes, një person, posedues i një pistolete, nuk ka dëgjuar urdhërin e policisë për të ndaluar.

Ai ka shtënë në ajër dhe është përpjekur t’i largohet policisë, por kjo e fundit i është vënë nga pas.

Burime zyrtare nga DVP Durrës konfirmuan për “DurrësLajm” se mbrëmjen e sotme policia po ushtronte kontrolle në qytet.

Ende nuk ka një informacion të saktë për ngjarjen dhe as një njoftim zyrtar nga blutë e qytetit, por sikundër duket nga pamjet që sjell për “DurrësLajm” operatori Denis Simaku policia ka “zbarkuar” në lagjen nr.1 dhe nr.3 të qytetit.