Artisti i njohur shqiptar, Ermal Meta është rikthyer në Shqipëri, kësaj here jo si këngëtar, por në rolin e shkrimtarit, për të prezantuar librin e tij të parë “Nesër e përgjithmonë”. Në takimin e zhvilluar në sallën e re “Tonin Harapi” të Liceut Artistik “Jordan Misja”, Ermal Meta rrëfeu për të rinjtë e pranishëm se si i lindi ideja për të shkruar këtë libër. Ai tha se ndër vitet që ka jetuar në Itali, ndjeu një thirrje të brendshme nga vendi i tij, derisa erdhi çasti për ta bërë këtë hap.

“Kam kaluar shumë vite pa u kthyer në Shqipëri, ndoshta 17, dhe sa herë që mendoja për vendin tim ndieja thirrjen e gjakut tim, ishte një thirrje shumë e fortë, saqë në fakt, më bëri efektin e kundërt, më shkaktoi frikë. Mandej, në një pikë i thashë vetes se nuk mund të prisja dot më për ta hedhur këtë hap, kështu që e bëra, e hodha hapin dhe kuptova se kisha humbur shumë ndërkohë, por nuk ishte vonë për ta rikuperuar”, tha Ermal Meta.

I pranishëm në promovimin e librit ishte edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Ai tha se libri i Ermal Metës mund të shërbejë si manual i një reflektimi të madh kombëtar dhe se si disa gjëra duhen bërë më mirë. Veliaj shtoi se shpreson që libri të ketë suksesin që ka pasur në Itali.

Ky libër mund të shërbejë vërtet si një manual i një reflektimi të madh kombëtar, si një mënyrë për të kuptuar si kemi mbërritur deri këtu, dhe nëse ka një mënyrë për t’i bërë disa gjëra më mirë, nëse ka një mënyrë për t’u afruar më shumë me njëri-tjetrin, për të kuptuar se kur jemi bashkë, jemi shumë herë më të vlefshëm se secili veç e veç. Të falenderoj shumë Ermal, që na ke mbledhur për të reflektuar. Shpresoj shumë që suksesi që ka pasur në Itali libri – sigurisht, atje mund të jetë dukur si një çudi e madhe, se çfarë ka ndodhur këtej, anën tjetër të Adriatikut – por, për ne nuk është rrëfim ekzotik, për ne është diçka që na lidh me historinë tonë personale. Por, jam shumë krenar për ty, e çmoj jashtë mase faktin që e ke marrë mundimin, je këtu me ne, për ta treguar ti historinë sesi kemi mbërritur në këtë reflektim të madh. Shpresoj që të gjithë ne, do të bëhemi pak më të mirë seç ishim kur e filluam leximin e këtij libri”, deklaroi Veliaj.

Libri “Nesër e përgjithmonë” flet për historinë e një personazhi me emrin Kajan i cili rritet mes stuhisë së konflikteve të shekullit XX. Librit i janë shitur edhe të drejtat për t’u kthyer në prodhim kinematografik. Ato janë blerë nga producenti Carlo degli Esposti-Palomar për të realizuar një serial televiziv.