Primaret e 4 dhjetorit në Durrës do të  vënë përballë njëri-tjetrit 4 demokratë.

Kreu aktual i degës, Igli Cara është një prej emrave të konfirmuar nga Komisioni Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në PD (KOKOE).

Cara rezultoi në zgjedhjet e 25 prillit 2021 kandidati për deputet më i votuar në radhët e demokratëve në qarkun e Durrësit, por nuk mundi të thyente herësin e për pasojë mbeti jashtë Kuvendit.

Përballë tij do të garojnë 32-vjeçari Armand Dervishi, një i ri demokrat i diplomuar në Mbretërinë e Bashkuar, Arben Kurmeka, anëtar i kryesisë së degës lokale dhe Alush Buçpapaj.  

Burime nga PD pohojnë për “DurrësLajm” se në orët në vazhdim pritet të zyrtarizohen kandidaturat për primaret në Durrës.

Pavarësisht propozimeve të shumta të bëra nga baza demokrate në mbledhjet e grupseksioneve, vetëm këta emra kanë plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për kandidimin.  

Më herët, gjatë ditës, nënkryetari i Partisë Demokratike, njëherësh edhe deputet, Luçiano Boçi, ka prezantuar sot kandidaturën e tij në Primare për bashkinë e Elbasanit dhe njëkohësisht deklaroi se hiqte dorë nga mandati i deputetit.