Në prag të primareve të datës 4 dhjetor, dy kandidatët e Partisë Demokratike, dega Durrës, Armand Dervishi dhe Igli Cara zhvilluan një takim me anëtarësinë dhe simpatizantët për të parashtruar pikat kryesore të programit të tyre.
Kandidati Dervishi, një i ri me karrierë të konsoliduar në Britaninë e madhe, ekspert ekonomie, vuri theksin gjatë fjalës së tij në situatën e vështirë ekonomike që po kalojnë qytetarët dhe në problematikat që shqetësojnë të rinjtë.
Ndërsa kandidati Cara, deklaroi se pavarësisht se e majta e drejton pushtetin lokal prej 23 vitesh në Durrës, shumë pak ka bërë për qytetin.
Para anëtarësisë që me datë 4 dhjetor do të vendosë me votë se cilin kandidat do të zgjedhë, Dervishi dhe Cara shpalosën shkurtimisht vizionin e tyre për qytetin.
Ndërsa Dervishi e vuri theksin tek digjitalizimi i shërbimeve dhe ngritja e një qendre rinore, Cara deklaroi se pas 14 majit bashkia do jetë e qytetarëve.
Megjithëse rivalë në garë me njeri-tjetrin, në fund të takimit Cara dhe Dervishi treguan se mbeten demokratë që luftojnë për të njëjtin qëllim, duke pozuar së bashku.
M.B.