Një mashtrim i hapur që bëhet me qëllime të caktuara, e quan shitjen e apartamenteve nga Durrës Yacht Marina, kreu i degës lokale të PD-së Durrës, Igli Cara.

Në një deklaratë për mediat, Cara teksa ngre pyetjet se në cilin shtet në shërbim të qytetarëve, u shitet ajër, në këmbim të qindra mijëra eurove, shprehet se “një akt i tillë do të duhej të kishte vënë në lëvizje organet e drejtësisë, që duhej të kishin hapur një hetim për këto shkelje të hapura ligjore”.

Kryedemokrati i Durrësit i bën thirrje çdo shtetasi shqiptar apo të huaj për të mos rënë pre e mashtrimit, teksa shton se opozita siguron se do të vazhdojë të denoncojë dhe ndërmarrë hapa konkrete ligjore për ta penguar këtë projekt ogurzi për Durrësin dhe jo vetëm!

Reagimi vjen dy ditë pasi zyra e shitjeve e Durrës Yacht Marina nisi shitjet e 110 apartamenteve të para.

Deklarata e plotë për mediat e kryetarit të PD-së, Igli Cara:

Pro Marinës, KUNDËR faljes së pronës publike për ndërtimet e Alabar

Njoftimi për shitjen e apartamenteve nga Durrës Yacht Marina, zyrtarizoi shkeljet ligjore në lidhje me projektin e portit të Durrësit, që specialistët e opozita i kanë artikuluar në vijimësi, që nga prezantimi i tij.
Jo vetëm nuk kanë nisur punimet në terren, por firma nuk është pajisur as me leje ndërtimi.
Në një zyrë të vendosur në hyrje të portit, ditën për diell, si për të sfiduar çdo banor të qytetit, shitja e këtyre apartamenteve në ajër u lançua në çdo gjuhë.
Një vënie në lojë për këdo që ka sy të shikojë!
Një mashtrim i hapur që bëhet me qëllime të caktuara!
Me çmime shumëfish më të larta sesa standardi i jetesës së shqiptarëve, në një zyrë që ofron makete dhe broshura, por jo apartamente.
Në cilin shtet, me ligje dhe rregulla legjitimohet haptazi vjedhja dhe mashtrimi?
Në cilin shtet ligjor, mund të shiten apartamente, që nuk ekzistojnë as de juro dhe as de facto?
Në cilin shtet në shërbim të qytetarëve, u shitet ajër, në këmbim të qindra mijëra eurove?
Sigurisht, vetëm nëse shteti është bashkautor në krim, ka shpjegim kjo që po ndodh në Durrës!
Një akt i tillë do të duhej të kishte vënë në lëvizje organet e drejtësisë, që duhej të kishin hapur një hetim për këto shkelje të hapura ligjore, ku shiten prona inekzistente dhe ku kompania që i tregton nuk ka as leje për të nisur ndërtimin, pa harruar, që projektligji, ku përfshihet edhe shitja e këtyre apartamenteve është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.
Kush mban përgjegjësi, nëse qytetarët humbin paratë e investuara, duke pasur besim te shteti, që garanton, duke dhënë edhe kredi për blerjen e këtyre apartamenteve?
Duke i bërë thirrje çdo shtetasi shqiptar apo të huaj për të mos rënë pre e mashtrimit, opozita siguron se do të vazhdojë të denoncojë dhe ndërmarrë hapa konkrete ligjore për ta penguar këtë projekt ogurzi për Durrësin dhe jo vetëm!