12 laboratorë për kualifikimin dhe aftësimin e studentëve janë funksionalë pranë Fakultetit të Studimeve Profesionale, në UAMD. Sot, ato hapën dyert për të ftuarit dhe vizitorët, që patën mundësi të ndiqnin nga afër simulimet e realizuara nga studentët dhe profesorët e tyre.

Dekani i FSP-së, Osman Metalla tha për “DurrësLajm” se moria e këtyre laboratorëve ndikon drejtpërdrejt në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të Universitetit me tregun e punës, ndërsa njoftoi hapjen e një tjetër laboratori brenda pak kohësh. Bëhet fjalë për një laborator që do të fokusohet në fushën e mbrojtjes së mjedisit detar, që do të pajiset me robot nënujor, dron etj për të bërë monitorime të ndryshme në fushën e detarisë.

Për Metallën, kthimi i Durrësit në një pol të rëndësishëm të aktivitetit detar do t’u krijojë mundësi shumë prej studentëve të këtij fakulteti të integrohen më lehtë në tregun e punës dhe administratën e institucioneve të kësaj fushe.

UAMD është kthyer në universitetin nr.2 në shkallë vendi për numrin e lartë të studentëve, por edhe për përgatitjen mjaft të mirë profesionale të tyre. Ky fakt u theksua edhe nga shumë drejtues institucionesh, si Gjeneral Brigade Bilbil Bitri, drejtori i DPD-së Paulin Ndreu, drejtoresha e Spitalit Rajonal Pamela Bardhaj etj.

Në Fakultetin e Studimeve Profesionale ofrohen programe të ndryshme studimi në fushën e detarisë, shkencave teknike mjekësore, shkencave të aplikuara dhe të natyrës, shkencave ndërtimore, të teknologjisë së automobilave, eficiencës së energjisë, etj.

M.B.